Kalo te përmbajtja / Skip to content
Kosovë

“Ishte amaneti i babait tonë”, familja Musa dhuroi tokën për kishën në Zogaj

AutoktonPublikuar më 18.8.2026Përditësuar më 18.8.2026Lexim prej 3 minutash

Në mesin e disa qytetarëve nga Vushtrria që janë pagëzuar gjatë ditës së sotme në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë ishte edhe Fadil Musa, pjesëtar i familjes që ka dhuruar tokën për ndërtimin e kishës në Zogaj të Vushtrrisë. Pas pagëzimit, ai ka marrë emrin Bardhyl Musa.

Ai tha se pagëzimi ishte një dëshirë e kahmotshme e familjes së tij, duke theksuar se nuk kishte pasur mundësi të pagëzohej rreth një vit më parë, kur ishin pagëzuar pjesëtarët e tjerë të familjes Musa.

“Kjo është një vullnet i kahmotshëm i familjes time, përkatësisht familjes Musa. Familja ime janë pagëzuar para një viti. Unë s’kam pasur mundësi deri sot dhe sot e kreva këtë dëshirë të kahmotshme”, tha Musa.

Duke folur për ceremoninë e bekimit të gurthemelit të kishës në Zogaj, Musa tha se pavarësisht dëshirës së familjes së tij që kjo ceremoni të mbahej më 18 gusht, ata nuk dëshirojnë përplasje dhe e konsiderojnë vendimin e institucioneve të sigurisë si një masë për mbrojtjen e qytetarëve.

“Ne s’jemi kundër kërkujt. Ne kemi pasur dëshirë me vënë gurin e themelit sot me të vërtetë, por organet e sigurisë na sugjeruan që, për shkak që mos me ndodhë ndonjë ekses, nuk bën më me mbajtë këtë manifestim dhe ne e kuptuam atë gjithsesi. Edhe kjo ishte e tëra, për shembull. Ne nuk jemi që, për shembull, me një vendimmarrjen tonë me pru sot një ton për shembull në konflikt. Jemi kundër asaj gjithsesi, gjithkush ka mendimin e vet, e shpreh mendimin e vet”, tha Musa.

Ai foli edhe për historinë e tokës së dhuruar për ndërtimin e kishës, duke treguar se kjo ishte pjesë e një amaneti të babait të tij, Rrahim Musës.

Sipas tij, në kohën e presidentit Ibrahim Rugova, babai i tij kishte ofruar dy hektarë tokë në Vushtrri për shqiptarët që mund të ktheheshin nga Turqia.

Musa tregoi se edhe pse atëherë nuk ishte realizuar ky qëllim, familja vendosi ta çonte në vend amanetin e të atit duke ia dhuruar tokën komunitetit për ndërtimin e një kishe.

“Kjo ishte një dhuratë e familjes tonë, por është dëshirë e kahmotshme e prindit tonë, babait tonë Rrahim Musës. Në kohën e Rugovës, për shembull, ka qenë një, si të them, një aferë që thoshin që po kthehen disa shqiptarë prej Turqie. Në atë kohë baba ka shkuar menjëherë në LDK të Vushtrrisë edhe i ka ofruar aty dy hektarë tokë: ‘Nëse kthehen shqiptarët prej Turqie, falas’. Edhe në atë kohë e ka marrë një leje të vogël. Kjo ka qenë dëshira e babait tonë, për shembull. Ajo kohë nuk u arrit ai qëllim që mund të ktheheshin shqiptarët e Turqisë këtu, për shembull, edhe erdhi koha e sotshme. Ne e patëm atë çështje që amanetin e babës me e çuar në vend, në njëfarë mënyre me ia falë komunitetit tonë, për shembull”, tha ai.

Ai tha se vendin për ndërtimin e kishës e kanë zgjedhur edhe për shkak të historisë së tij, pasi pak më poshtë, sipas tij, në të kaluarën ka qenë e ndërtuar një kishë e vjetër ilire.

Ndërkohë, gazetari dhe publicisti Asllan Ibrahimi, i cili ka përcjellë nga afër zhvillimet lidhur me ndërtimin e kishës në Zogaj, e vlerësoi veprimin e familjes Musa si një hap të rëndësishëm, duke e parë këtë çështje edhe në rrafshin shoqëror e kombëtar.

Ceremonia e pagëzimit u mbajt sot në Katedralen “Shën Nënë Tereza”, në Prishtinë, një ditë pas bekimit të gurthemelit të kishës së re në Zogaj të Vushtrrisë.

Ndërkaq kjo ceremoni ishte paraparë të mbahej më 18 gusht në Zogaj të Vushtrrisë por është ndaluar nga një vendim i Policisë së Kosovës.

Burimi: /Kosovapress/

Artikuj të ngjashëm