Kush është Justina Shiroka-Pula, ish-ministrja e PDK-së që Kurti e propozoi për presidente?

Kryeministri Albin Kurti ka propozuar sonte Justina Shiroka-Pulën për postin e presidentes së Kosovës, duke kërkuar nga PDK-ja që ta mbështesë kandidaturën e saj.
Shiroka-Pula, 73-vjeçare, ka një karrierë të gjatë akademike dhe politike. Ajo ka përfunduar shkollën fillore dhe të mesme në Prishtinë, ndërsa në vitin 1976 ka diplomuar në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë.
Studimet pasuniversitare në fushën e teorisë dhe politikës së zhvillimit ekonomik i përfundoi në vitin 1984 në Fakultetin e Shkencave Ekonomike në Zagreb. Më pas u doktorua në Universitetin e Prishtinës me tezën “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.
Karrierën profesionale e nisi në Bankën Popullore të Kosovës, ndërsa në vitin 1978 filloi angazhimin si ligjëruese në Fakultetin Ekonomik.
Sipas biografisë së saj të publikuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Shiroka-Pula ka marrë pjesë edhe në studime të posdoktoratës në Universitetin e Lincit në Austri dhe në Universitetin e Arizonës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe ka ndjekur trajnime profesionale në universitete të ndryshme të botës.
Pas luftës, ajo është angazhuar edhe në shoqërinë civile, veçanërisht në fushën e fuqizimit të grave, barazisë gjinore, zhvillimit të bizneseve dhe ndërmarrësisë.
Shiroka-Pula ka qenë e angazhuar edhe në politikë. Nga viti 2008 deri më 2011 ka qenë ministre e Energjisë dhe Minierave, ndërsa nga viti 2011 deri më 2014 ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës.
Aktualisht, ajo është kryetare e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK).
Emri i saj u propozua sonte nga Kurti në kuadër të diskutimeve për zgjedhjen e presidentit. Kurti i kërkoi publikisht kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, që partia e tij ta mbështesë Shiroka-Pulën, duke propozuar që në të njëjtën seancë fillimisht të votohet Ligji për Dhomat e Specializuara dhe më pas presidentja e re.
Artikuj të ngjashëm



Kush do t’i shpallë zgjedhjet nëse nuk zgjidhet presidenti? Flet Kadri Kryeziu
