Latifi: Ka vetëm një mënyrë për të pasur sukses kundër Serbisë – t’i ndalojmë rrymat vahabiste e salafiste

Profesori i Filozofisë, Blerim Latifi, ka reaguar sërish në lidhje me dokumentin e quajtur “Top sekret 2”, i cili u gjet në telefonin e të akuzuarit për spiunazh, Fatmir Sheholli, e ku përmendej përdorimi i parave nga ambasadat islamike në Beograd për ndërtimin e xhamive në Kosovë.
Latifi shkroi për atë që e quan “instrumentalizim politik të islamit” duke argumentuar lidhjen e kësaj me përpjekjet historike për dëmtimin e çështjes kombëtare shqiptare.
Ai ka sjellë në vëmendje periudhën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, duke përmendur ish-kryeministrin serb Vladan Gjorgjeviq dhe librin e tij “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha”, botuar në Leipzig më 1913. Sipas Latifit, një prej argumenteve të përdorura nga Gjorgjeviqi për ta kundërshtuar krijimin e shtetit shqiptar ishte paraqitja e tij si një “shtet muhamedan” brenda Europës së krishterë.
Në pjesën e tretë të shkrimit, Latifi e lidh argumentin e tij me situatën aktuale dhe me shtetin e Kosovës.
“Kohët kanë ndryshuar dhe tani nuk është në çështje integriteti i shtetit shqiptar, as dëbimi i shqiptarëve nga Kosova, i cili u provua por dështoi në vitin 1999. Tani çështja është të prodhohen kushtet për dështimin e shtetit të Kosovës, i krijuar e mbështetur nga fuqitë perëndimore”, shkroi ai në një postim në Facebook.
Latifi argumenton se një mënyrë për ta dëmtuar mbështetjen perëndimore për Kosovën është dëmtimi i kredencialeve të saj europiane, përmes paraqitjes së saj si një shtet me popullatë të islamizuar dhe me institucione të ndikuara nga islami politik.
Profesori i Filozofisë paralajmëron se një imazh i tillë, sipas tij, mund të shfrytëzohet nga Serbia, veçanërisht në një kohë kur e djathta ekstreme po fiton terren në vende të ndryshme perëndimore.
“Në një Perëndim ku e djathta ekstreme përditë e më shumë po fiton terren politik e social, një imazh islamist për shtetin e Kosovës është dhurata më e madhe që mund t’i bëhet Serbisë dhe aspiratave të saj për ta rikthyer Kosovën”, ka shkruar Latifi.



