Mbi 25 milionë kg mish nga Brazili u importuan në Kosovë për tetë muaj, pak ditë më parë u ndaluan tre kontejnerë në Tivar

Mbi 25 milionë kilogramë mish me origjinë nga Brazili janë importuar në Kosovë vetëm gjatë tetë muajve të parë të këtij viti, tregojnë të dhënat e Doganës së Kosovës, shkruan Kujdestari.info.
Të dhënat për importin marrin rëndësi të veçantë pas rastit të zbuluar ditë më parë në Mal të Zi, ku autoritetet ndaluan tre kontejnerë me mish të ngrirë viçi nga Brazili, të cilët ishin të destinuar për tregun e Kosovës.
Sipas të dhënave të Doganës për periudhën janar-gusht 2026, në Kosovë janë importuar nga Brazili rreth 25.38 milionë kilogramë mish dhe të brendshme të ngrënshme, me vlerë prej rreth 78.05 milionë eurosh.
Importi ka qenë i lartë përgjatë gjithë periudhës. Në janar janë importuar rreth 3.34 milionë kilogramë, në shkurt 2.85 milionë, në mars 3.19 milionë, në prill 3.32 milionë, në maj 3.13 milionë, në qershor 3.29 milionë, në korrik 2.90 milionë dhe në gusht rreth 3.35 milionë kilogramë.
Pra, mesatarisht, gjatë kësaj periudhe në Kosovë kanë hyrë nga Brazili mbi 3.17 milionë kilogramë mish në muaj.
Tre kontejnerë u ndaluan rrugës për në Kosovë
Vetëm pak ditë më parë, Dogana në Mal të Zi njoftoi se kishte parandaluar transitin drejt Kosovës të tre kontejnerëve me mish të ngrirë viçi me origjinë nga Brazili.
Gjatë kontrollit, sipas autoriteteve malazeze, ishte konstatuar se afati i përdorimit të produktit kishte skaduar.
Dyshimet e autoriteteve shkuan edhe më tej. Sipas njoftimit të Qeverisë së Malit të Zi, ekzistojnë dyshime se etiketat origjinale të produkteve ishin hequr dhe ishin zëvendësuar me etiketa të tjera, të cilat paraqisnin një afat të ri përdorimi.
Rasti u zbulua gjatë kontrolleve të intensifikuara të mallrave në Njësinë Doganore të Portit të Tivarit.
Tre kontejnerët, sipas njoftimit të autoriteteve malazeze, ishin të destinuar për një blerës nga Kosova, të cilin autoritetet e kanë identifikuar vetëm me inicialet A….ShpK.
Kontejnerët më pas janë vendosur nën mbikëqyrje doganore.
Gjatë kontrollit të mëtejshëm në një frigorifer në Portin e Tivarit, doganierët malazezë kanë konstatuar se punëtorë të angazhuar nga një kompani nga Kosova dyshohet se kishin hequr etiketat origjinale të vendosura mbi produktet.
Autoritetet në Mal të Zi kanë nisur verifikime edhe për një çështje tjetër: nëse produkte të kompanisë nga Kosova mund të kenë përfunduar te subjekte të tjera afariste në Mal të Zi.
Sipas të dhënave që autoritetet malazeze thanë se kishin në dispozicion, një numër biznesesh në këtë shtet që merren me përpunimin e mishit furnizohen me produkte nga personi juridik nga Kosova i përmendur në rast.
Për këtë arsye janë nisur verifikime për të përcaktuar faktet dhe përmasat eventuale të shpërndarjes së produkteve.
Rasti i tre kontejnerëve nuk dëshmon se importet e tjera të mishit nga Brazili kanë pasur probleme me afatin apo etiketimin. Megjithatë, ai merr peshë për shkak të sasisë së madhe të mishit që Kosova importon nga ky shtet. /Kujdestari.info/
Artikuj të ngjashëm

“Ky vend e tradhtoi”: Endrit Thaçi shpërndan fjalimin e Edi Ramës nga ShBA-ja


