Paca shfuqizon udhëzimin e Blerim Isufajt që nuk lejonte inicimin e rasteve penale nga prokurorët e Prokurorisë Speciale pa miratimin e tij

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Dren Paca, ka hequr kushtin e vendosur nga ish-kryeprokurori Blerim Isufaj, sipas të cilit prokurorëve specialë u nevojitej miratimi paraprak i Kryeprokurorit për marrjen e numrit dhe regjistrimin e lëndëve për inicimin e hetimeve sipas detyrës zyrtare.
Me ndryshimin e bërë, prokurorët specialë mund t’i drejtohen drejtpërdrejt Zyrës së Regjistrit për regjistrimin e këtyre lëndëve, pa kaluar paraprakisht përmes autorizimit të Kryeprokurorit.
Vendimi ndryshon dhe plotëson Udhëzuesin për veprimtarinë ditore të Zyrës së Regjistrit. Prokuroria Speciale ka njoftuar se ndryshimi synon lehtësimin e procedurës administrative dhe respektimin e pavarësisë funksionale të prokurorëve.
Prokuroria Speciale lehtëson procedurën e regjistrimit të lëndëve për inicimin e hetimeve sipas detyrës zyrtare
Prishtinë, 20 tetor 2026
Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, z. Dren Paca, ka nxjerrë vendim për ndryshimin dhe plotësimin e Udhëzuesit për veprimtarinë ditore të Zyrës së Regjistrit në Prokurorinë Speciale, në harmoni dhe respektim të kompetencave dhe pavarësisë funksionale të prokurorëve për inicimin e hetimeve sipas detyrës zyrtare.
Sipas vendimit, prokurorëve specialë u mundësohet që, në ushtrim të kompetencave të tyre, të kërkojnë drejtpërdrejt nga Zyra e Regjistrit numrin për regjistrimin e lëndës, me qëllim të inicimit të hetimeve sipas detyrës zyrtare, pa pasur nevojë për autorizim paraprak nga Kryeprokurori.
Ndryshimi synon lehtësimin e procedurës administrative të regjistrimit të lëndëve dhe të nxisë prokurorët në inicimin e hetimeve të veprave penale, sipas detyrës zyrtare, në përputhje me kompetencat ligjore të Prokurorisë Speciale.
Prokuroria Speciale mbetet e përkushtuar në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, dhe hetimit të të gjitha veprave penale që bien në kompetencën e saj, bazuar në ligjin në fuqi. /Kujdestari.info/



