Prokuroria e Pejës deklarohet për rastin tragjik në Vitomiricë, zbulon se më 22 tetor kishte pranuar parashtresë nga viktima

Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se më 22 tetor, kryeprokurorja e kësaj prokurorie kishte pranuar një parashtresë nga e ndjera A.Z., përmes së cilës ajo kishte kërkuar ndërmarrjen urgjente të veprimeve ndaj zyrtarëve të institucioneve përgjegjëse, duke pretenduar se ata kishin dështuar në përmbushjen e detyrave zyrtare gjatë trajtimit të rastit të saj, përfshirë edhe ekzekutimin e një vendimi gjyqësor.
Prokuroria ka bërë të ditur se, pas pranimit dhe shqyrtimit të parashtresës, kryeprokurorja kishte urdhëruar regjistrimin e saj për trajtim nga prokurori kompetent.
“Me qëllim të vlerësimit të pretendimeve në aspektin e përgjegjësisë penale, në drejtim të veprës penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, parashtresa u regjistrua për trajtim nga prokurori kompetent. Njëkohësisht, ajo iu përcoll për trajtim urgjent autoriteteve përkatëse institucionale, përfshirë Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, Gjykatën Themelore në Pejë, Drejtorinë për Mirëqenie Sociale dhe Qendrën për Punë Sociale, me kërkesën që të shqyrtohen pretendimet dhe të verifikohen lëshimet e mundshme apo veprimet e zyrtarëve përkatës, brenda kompetencave të tyre institucionale”, thuhet në sqarimin e Prokurorisë.
Sa i përket ekzekutimit të vendimit gjyqësor, i cili kishte të bënte me shfrytëzimin e barabartë të shtëpisë, Prokuroria ka njoftuar se ky vendim ishte ekzekutuar nga prokurorja kujdestare, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
“Prokuroria Themelore në Pejë thekson se rrethanat e rastit, përfshirë pretendimet e paraqitura në parashtresën e viktimës dhe veprimet e ndërmarra nga institucionet përkatëse, do të trajtohen me seriozitet dhe profesionalizëm, në përputhje me procedurat ligjore dhe kompetencat përkatëse. Prokuroria e konsideron të rëndësishëm informimin e drejtë të opinionit publik lidhur me këtë çështje dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e viktimës”, thuhet në sqarim.
Një grua u vra të dielën në mbrëmje në Vitomiricë të Pejës, ndërsa i dyshuar për vrasjen është kunati i saj. Viktima dyshohet se u qëllua për vdekje me sëpatë.
Rasti ishte paraprirë nga një raportim në Policinë e Pejës për dhunë në familje, pas të cilit bashkëshorti i viktimës ishte ndaluar për 48 orë.
Sipas Policisë, viktima kishte kërkuar me vullnetin e saj të kthehej në shtëpi. Ndërkaq, rreth orës 21:00, policia kishte pranuar informacionin se ajo ishte gjetur pa shenja jete.



