Kalo te përmbajtja / Skip to content
Kosovë

Tjetër “operacion” i Gani Gecit: Fal vëllain e mërgimtarit që e kërcënoi – dihet identiteti i tij

AutoktonPublikuar më 28.9.2026Përditësuar më 28.9.2026Lexim prej 2 minutash

Gani Geci është përfshirë në një tjetër “operacion” ku drejtësinë për veten dhe familjen e vet, e merr në duart e veta.

Të hënën, ish-deputeti pranoi kërkim faljen e familjes Cakiqi, me origjinë nga Podujeva, në lidhje me kërcënimet që një pjesëtar i kësaj familje i bëri ndaj Gani Gecit përmes platformës Tik-Tok të dielën.

Fatmir Cakiqi, pjesë e familjes Cakiqi, e kërcënoi Gani Gecin me vrasje, duke e akuzuar atë si përgjegjës për procesin kundër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

“Ty n’qofsha gjallë, ka me ardh në Skenderaj atje me t’i hangër mushknitë.. edhe ky klyshi jem ka me t’i hangër ko*** – qe, ky klysh që është gjashtë muajsh”, deklaron Fatmir Cakiqi në videon e publikuar në Tik-Tok të dielën.

Jetmir Cakiqi, një nga vëllezërit e Fatmirit, takoi të hënën ish-deputetin e LDK-së. Ai, në emër të familjes, i kërkoi falje Gecit për kërcënimet që kanë adresë vëllain e tij.

Geci e pranoi kërkim-faljen.

“Të dashur miq, sot e takova Jetmir Cakiqin, vëllain e atij TikTokerit (Fabio Caldini), emri i vërtetë i të cilit qenka Fatmir Cakiqi. Jetmiri qenka një djalë shumë i mirë, familjar dhe prind i tre fëmijëve. Ndërsa vëllai i tij, Fatmiri, ai jarani i atij klyshit 6 muajsh, po jetojka në Zvicër”, tha Geci në një postim në rrjetin social Facebook.

“Jetmiri, në emër të familjes së tij, Cakiqi, më kërkoi falje. Ai më sqaroi se familja e tij këtu në Kosovë ka një kohë të gjatë që nuk ka kontakt me të, sepse ai qe 6 vjet nuk ka qenë në Kosovë. Faleminderit Jetmirit për këtë sqarim”, u shpreh Geci.

Ish-deputeti konfirmoi se ka paraqitur denonim në Polici për kërcënim direkt ndaj tij.

“Sa i përket atij Fatmirit, e kam lajmëruar Policinë për kërcënim direkt. Besoj se Policia dhe Prokuroria do ta kryejnë detyrën e tyre, ndërsa unë do ta kryej detyrën time, siç e kam bërë për 38 vjet: duke e mbrojtu nderin tim dhe familjen time dhe Kosovën nga bandat”, tha Geci.

Artikuj të ngjashëm