Kalo te përmbajtja / Skip to content
Kulturë

Mbi 84 mijë vizitorë në shtatë muaj, Muzeu i Skënderbeut mbetet një nga destinacionet e preferuara

AutoktonPublikuar më 27.8.2026Përditësuar më 27.8.2026Lexim prej 1 minutash

Muzeu i Skënderbeut në Krujë, i vendosur brenda mureve kalasë, mbetet një prej destinacioneve më të vizituara nga turistët që duan të njihen më nga afër me historinë e Shqipërisë. Gjatë periudhës janar-korrik muzeu u vizitua nga 84.177 vizitorë. Kjo u bë me dije dhe më parë nga Blendi Gonxhja ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, që shkruante se gjatë periudhës janar-korrik 2026, institucionet dhe qendrat e trashëgimisë kulturore u vizituan nga 824,340 vizitorë vendas dhe të huaj. Ndër destinacionet më të vizituara ishte edhe muzeu kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë me 84,177 vizitorë. Muzeu është ndërtuar në Kështjellën e Krujës, në të majtë të hyrjes së saj.

 Ai u hap për vizitorët më 1 nëntor të vitit 1982. Ndërtesa e muzeut është e konceptuar si një fortesë e një kështjelle Mesjetare Shqiptare me një fokus kryesor në dokumentimin e jetës dhe veprës së Gjergj Kastriot Skënderbeut, heroit kombëtar të vendit. Muzeu hapet me një grup skulpturor që paraqet Gjergj Kastriotin në mes të popullit.

Këtu, figurat e luftëtarëve nuk janë të emërtuara, por veshjet e tyre tregojnë qartë pjesëmarrjen e të gjitha krahinave në luftën për mbrojtjen e vendit. Ky grup skulpturor u realizua nga skulptorët Janaq Paço dhe Genc Hajdari. Në këtë muze numërohen disa pavione. Në këto pavione janë ekspozuar objekte prej qeramike, bronxi, hekuri, bakri, faksimile të ndryshme, ikona origjinale, shkrime, këmbana e vitit 1462, shpata origjinale të shekullit XV, etj. Me historinë, objektet dhe dëshmitë që ruan, Muzeu i Skënderbeut vijon të mbetet një prej pikave kryesore të trashëgimisë kulturore dhe historike të Krujë.

Artikuj të ngjashëm