Kalo te përmbajtja / Skip to content
Opinion

Çun Lajçi: Nëse merreni me Albinin e me policinë e pafajshme, ku po mbetën katër çlirimtarët?

AutoktonPublikuar më 18.9.2026Përditësuar më 26.9.2026Lexim prej 3 minutash

Nga

Po ju shoh e s’po ju njoh!
E po due edhe me ju njoftë, edhe me ju pa. Me ju pa e me ju ndëgjue.

Por…
A kështu, t’pa mendje e vëmendje, t’pa cak e lak, t’pa dije e hije, qenkan skosovarët?

A të tillë paskan qenë edhe n’98-ën, edhe n’40-ën, edhe n’kohën e turkut, shkjaut e bullgarit?

Kush jeni ju me maska, që shani nanat serbe e Kryeministrit i thoni spiun?

Çfarë faji ju kanë nanat e hueja?
E çfarë faji ju ka Kryeministri i juej?
A ky i gjykoj çlirimtarët?

A e dini për çka jeni mbledhë n’shesh? Për çka keni dalë me protestue?
Nëse keni dalë për katër burrat që po vuajnë dënimin në Hagë, atëherë mos e humbni rrugën tue u marrë me ata që nuk janë arsyeja pse keni dalë.

Pse fëmijët i vishni me flamuj e i cytni me hudhë gurë, me sha e me shkatrrue, pa pasë nevojë?
Për çka?
Pse?
A jeni për çlirimtarët që u dënuen, apo doni me ia veshë Kosovës nji hije të zezë e me i çue sinjale Serbisë:
— Ngutu, futu n’Kosovë, se sot asht ma e ligë se kurrë!

Çka po doni me i thanë Evropës që na çliroi?
Se ne jemi dhunues?
Shkatrrues?
Vrasës?
Se edhe n’luftë kemi qenë të tillë?
Se nuk e meritojmë lirinë që e kemi?

Pse po doni me ua randue situatën edhe ma shumë çlirimtarëve të dënuem?

E ju, deputetë e veteranë që jeni aty, pse nuk i tregoni botës se UÇK-ja nuk janë këta fëmijë, këto maska e këta gurë?
UÇK-ja jemi ne: populli që e deshti lirinë.
UÇK janë ata katër djem që sot i keni ngujue n’Hagë.

Ku jeni ju, “patriotët” e darkave me mish viçi, që deklarojshit:
— Ka me u kallë Kosova po u dënuen çlirimtarët!
Pse tash nuk dilni n’fushë me e korrigjue edhe veten, edhe turmën?
Me ua thanë qartë: Shqiptarët nuk janë pushtues.
Nuk janë vandalë. Janë liridashës. Jo luftënxitës.

Pse s’e korrigjoni veten?
Pse sorollateni përmes turmës tue shitë trimni?
Kujt po ia shitni? Kundër kujt doni me luftue? Kundër policisë suaj? Kundër popullit tuaj? Kundër shtetit tuaj?

E shihni?
Ne e kemi shlirue vendin por ende s’e kemi lirue vetveten.
Ende e kemi nji pjesë t’shpirtit rob.
Kemi probleme me vetveten e luftojmë me vetveten:

— Dje votojeni, sot zhbëjeni!

Jo, pritni!
I keni ndëgjue lakmitarët, jo arsyen. Jo zemrat tueja. Jo , që çirrej n’foltore:
— Mos e voto, Jakup! Mos e voto Gjykatën se nesër bahet vonë!

Jo!
Nuk jemi ne ata që i shfrytëzojmë mjegullat për me shfry urrejtjen ndaj kundërshtarëve politikë.

M’thoni, cilët jeni ju që brohorisni:
— Albin spiuni!

Çka ju ka ba Albini?

Apo dikush ju tha:
— Protestoni kundër Albinit e poshtnojeni?

Ku po i leni Kadriun, Jakupin, Hashimin e Rexhën, nëse krejt protestën po e ktheni kah Albini e kah policia?
Pse po ua zhvlerësoni heroizmin të burgosunve tue sha të tjerët?

Nëse vërtet jeni dalë për ta, atëherë mos ua bani nji burg tjetër.
Mos i mbyllni edhe n’burgun e urrejtjes.
Sepse katër burrat nuk kanë nevojë për gurët tuej.
Kanë nevojë për fjalën tuej. Për mendjen tuej. Për nji popull që di me thanë: – Këta janë tanët.

Ne nuk jemi kundër vetvetes.
Jemi ata që e duem çlirimtarin pa e urrejt shqiptarin tjetër.
Kërkojmë drejtësi pa e shkatrrue shtetin tonë.
E mbrojtë kujtesën pa e djegë të tashmen.

Me dalë n’shesh me flamur, jo me maskë.
Me fjalë, jo me gur.
Me mendje të kthjellët, jo me zemër të verbueme.
Se liria nuk mbrohet tue e kthye popullin kundër popullit.
Liria mbrohet kur nji popull e njeh vetveten.

Sot, Migjeni do t’na thoshte:
Kafshatë që s’kapërdihet asht terri politik e lakmia për pushtet.
18.09.2026

Artikuj të ngjashëm