“Nuk të urrejmë, por nuk të duam më”, Çun Lajçi me mesazh të fortë për Ramën

Aktori shqiptar Çun Lajçi ka reaguar me një shkrim të gjatë ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, duke kritikuar thirrjen e tij për dialog me studentët dhe mënyrën e trajtimit të protestave.
Lajçi, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka ironizuar dialogun e propozuar nga Rama, duke theksuar se ai u zhvillua me karrige bosh, në vend të përballjes me studentët dhe pedagogët
Aktori ka kritikuar gjithashtu qeverisjen e Ramës, duke ngritur akuza për lidhjet e pretenduara me persona të përfshirë në afera dhe duke thënë se pakënaqësia ndaj kryeministrit po rritet te të rinjtë dhe qytetarët.
“Nuk të urrejmë, kryeministër, por nuk të duam ma!”, ka shkruar Lajçi, duke shtuar se Shqipëria mund të ecë përpara edhe pa Ramën në krye të qeverisë.
Në fund, ai ka theksuar se vendi ka të rinj e të reja që e duan atdheun dhe mund ta çojnë atë përpara.
Postimi i plotë:
E sheh?
Nuk të urrejnë por nuk të duan!
Duan me ikë prej teje e ti me ikë prej tyne!
Sa e thjeshtë; – s’e duron barra barrën!
Ti kërkon dialog mbas 13 vjetësh, e ata kërkojnë dorëheqjen tande!
Të vonuem të dy palët.
Duhej me i çelë sytë qysh atëherë, kur nisi hajnia e madhe e kur narkosët kërkuen pushtet!
Sot kërkove dialog me karriget e kuqe, me vetveten.
Ti kujtove se gjenerata e TikTok-ut s’din me i lidhë shtatë fjalë.
Ti kujtove se as unë, që kam folë me karriget e teatrit për 50 vjet, nuk ta kuptova lojën me karrige?
Cili teatër ishte ky?
Breht apo Stanislavski?
Bëre teatër me punonjësit e parqeve!
Bëre teatër me kioskën e djegun!
Bëre teatër me gurin, tue pi kafe në zyrën e vetmueme.
Dhe ja, sot more guximin me u shpërfushë para shkallëve të Kryeministrisë e me u folë karrigeve të kuqe, por jo pedagogëve e studentëve që ti thyen karriget dhe lojën tande të teatrit abstrakt!
Të munguen aktorët, kryeministër!
Ti s’ishe i zoti me i luejtë të gjitha rolet, me qenë regjisor e kameraman, e me duartrokitë edhe për vete!
Studentët erdhën paqësisht. Pse s’e more guximin me i pritë ulun, kur je aq i sigurt në votat që more e në ato që pretendon me i marrë vitin që vjen?!
I miri, i urti, i ndershmi, atdhedashësi, besniku ndaj Shqipnisë nuk ka frikë prej përballjes me popullin.
Pse s’i prite pedagogët?
Mos vallë edhe ata qenkan agjentë, si këta adoleshentët me maska që djegin plehrat e Tiranës?
Ne nuk të urrejmë, kryeministër, por nuk të duam ma!
Sepse ti kurrë nuk e ndave shapin prej sheqerit, as Belindën prej vetes, as Agasin prej Vlorës, as narkodilerët prej pushtetit.
Për këtë nuk të do rinia, zotni kryeministër!
Për këtë nuk të duan as prindët e tyne.
Për këtë nuk të duam as ne, artistët, poetët e shkrimtarët, që, edhe kur heshtim nganjëherë, nuk do të thotë se të duam. Edhe në heshtje, nuk të duam!
Ia nise mirë me Evropën, por e prishe me përzimjen e gjakut me Vuçiqin e me bosat e drogës. E tash studentët, gjimnazistët e qytetarët që mezi i sigurojnë dy vakte në ditë, ta kërkojnë ikjen.
Ti mos u mërzit për Shqipninë!
Ka kush e çon përpara.
Edhe Elisa Spiropali mundet me e çue në Bashkimin Evropian. Edhe Balliu. Edhe Marin Mema, edhe…
Nuk vdes Shqipnia pa ty o Kryeministër, se ka djem e vasha që e duan atdheun ma shumë se veten e që nuk i përziejnë rrajtë me bimët e këqia!
M’vjen keq, por nuk të duan ma!
Prishtinë 2026



