Kalo te përmbajtja / Skip to content
Opinion

“Zgjimi i shqiptarëve” sipas Rusisë – Shkrimtari Prend Buzhala zbërthen mesazhet e Aleksandër Dugin-it

AutoktonPublikuar më 18.10.2026Përditësuar më 18.10.2026Lexim prej 9 minutash

Shkrimtari ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe qëndrimet e ideologut rus Aleksandër Dugin për protestat në Tiranë. Në një analizë të gjatë, Buzhala ka ngritur shqetësimin se përkrahja e shprehur nga Dugin për atë që ai e quan “zgjimi i shqiptarëve” mund të jetë përpjekje për t’i dhënë pakënaqësisë qytetare një interpretim gjeopolitik në përputhje me interesat ruse. Sipas Buzhalës, protestat kundër korrupsionit dhe qeverisjes nuk duhet të ngatërrohen me kundërshtimin e orientimit perëndimor të Shqipërisë.

Buzhala ka kritikuar gjithashtu ideologjinë euroaziatike të Dugin-it, duke theksuar lidhjet e saj me nacionalizmin ekstrem rus dhe narrativat proserbe. Ai e konsideron paradoksale që ideologu rus i lavdëron shqiptarët, ndërkohë që mbështet qëndrime që, sipas tij, bien ndesh me të drejtën e popujve për vetëvendosje, përfshirë Kosovën dhe Ukrainën. “Miqësia e vërtetë politike nuk matet me lavdërimet, por me respektimin e sovranitetit dhe të së drejtës së një populli për të zgjedhur vetë rrugën e tij”, ka përfunduar Buzhala.

Më poshtë, postimi i plotë i shkrimtarit Prend Buzhala:

Reklamë

EUROAZIA RUSE, PROTESTAT NË TIRANË, SERBIA DHE KOSOVA: KUSH E PËRCAKTON “ZGJIMIN” E SHQIPTARËVE?

Përsëri po na shfaqet koncepti i Euroazisë ruse! Tash, në përkrahje të protestave të Tiranës!

Para dymbëdhjetë vjetësh, më saktësisht më 21 tetor 2014, pata shkruar për këtë fenomen:

“Kur e përcaktonin postulatet euroazatike të gjeopolitikës emigrantët rusë Trubeckoj, Pjotr Savicki, Gulilev apo gjermani Karl Hauslofer, për boshtin Berlin-Moskë-Tokio; fillimisht u thur si ide imperiale. Fijet vijnë që nga Roma antike, nëpërmes Bizantit e deri te Moska, si Romë e Tretë, apo nëpërmes Mbretërisë së Shenjtë romake të kombit gjerman, Austrohungarisë dhe Gjermanisë. Nuk ishte e rastit, prandaj, pse më 2001 në Moskë qe mbajtur Kongresi themelues pan-rus (gjithërus) i lëvizjes politike e shoqërore ‘EVROAZIJA’. Udhëheqës i kësaj lëvizjeje euroaziatike është Aleksandar Dugin, drejtor i qendrës për ekspertizë gjeopolitike, këshilltar i kryetarit të Dumës ruse, themelues i shkollës gjeopolitike ruse, filozof dhe autor I shumë librave. Që nga atëherë nocioni Euroazi e konceptonte Perëndimin dhe Lindjen, si civilizim perëndimor e si kulturë lindore: Kartagjena e amshueshme dhe Roma e amshueshme. Gjithsesi, postulatet e tilla gjeopolitike qenë shndërruar edhe në platformë pan-ruse për ta demonizuar sa më shumë perëndimin: herën e parë nëpërmes carizmit, herën e dytë nëpërmes komunizmit e internacionalizmit proletar dhe dashurisë proletare ndaj Vëllait të Madh; tani nëpërmes lëvizjes për thelbin e rilindjes së traditave reale të Lindjes së pari në Rusi e mandej në gjithë Evropën. Nuk është e rastit pse kjo Rusi nxjerr njëmijë pengesa edhe sot për pavarësinë e Kosovës. Por… aty është Serbia, ndërsa Kosova nuk është Çeçeni, as Afganistan…”

Kështu kam shkruar aso kohe,.

1. PROTESTAT E TIRANËS DHE “ZGJIMI” I SHQIPTARËVE SIPAS ALEKSANDËR DUGIN-IT

E tani!?

Sot lexova dy lajme njërin pas tjetrit (ani se vijnë nga media proqeveritare). Më 18 tetor 2026, agjencia Reuters raporton se ka akuzuar interesa të huaja për nxitjen e trazirave dhe ka deklaruar se protestat mund të dëmtojnë rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Protestat lidhen gjithashtu me pakënaqësinë për korrupsionin, mungesën e vendeve të punës dhe problemet në arsim. Edhe reagimi i Maria Zakharovës, zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse, është raportuar sot nga mediat ruse. Ajo i është përgjigjur akuzave të Ramës duke i thënë që të mos ia kalojë Rusisë dhe Iranit përgjegjësinë për problemet e brendshme të Shqipërisë.

Mirëpo, në anën tjetër, Sipas disa mediave shqiptare e kosovare, Aleksandar Dugin-i ka reaguar në rrjetin X dje, më 17 tetor, duke i cilësuar shqiptarët si popull trim dhe duke thënë se po zgjohen.

Çfarë do të thotë ai me “zgjimin e shqiptarëve” dhe çfarë dëshiron të shohë te ky zgjim? Në postimin e tij të 17 tetorit 2026, Dugin-i nuk flet thjesht për protesta kundër qeverisë. Ai te ky aspekt “e sheh” identitetin shqiptar me Fan Nolin, traditën ortodokse, islamin sufi dhe prejardhjen indoevropiane. Nayriosht, nuk i përmend “katolikët”!!! Për shkak se ai e urren Perëndimin! Aluzioni është i qartë: me idenë e tij e të Vëllait të Madh rus qenkan shumica e shqiptarëve; shenja të kësaj mbështetjeje qenkan: djegia e flamujve të Izraelit e të Vatikanit, djegia e bankave e bizneseve (si simbole të kapitalizmit perëndimor), se zhgënjimin masiv shqiptar është “produkt” i Evropës Perëndimore, prandaj SHPËTIMI i vjen edhe “njëherë”, si dikur, nga Rusia!

Po ashtu, nga ana tjetër Evropa Perëdimore e dënoi dhunën, zjarrvëniet etj. Nëse Perëndimi e dënon dhunën dhe zjarrvë niet, ndërsa Rusia dhe Dugin-i publikisht e përshëndesin lëvizjen pa e kushtëzuar mbështetjen me dënimin e dhunës, kemi një dallim të rëndësishëm në mënyrën si reagojnë ndaj protestave.

Le të thuhet se protestat janë shrehje e pakënaqësisë ndaj qeverisjes. Dhe le të jetë ZGJIM kundër korrupsionit dhe qeverisjes që E kundërshtojnë. Ky është kuptimi më i drejtpërdrejtë në kontekstin e protestave. Mirëpo, Dugin e ka hallin gjetiu: ai përpiqet ta interpretojë këtë ZGJIM KOMBËTAR si pakënaqësi përmes historisë, fesë dhe identitetit të shqiptarëve! Pra, ppërmes “identitetit “euroaziatijk”!!! Në përputhje me ideologjinë e tij, ai do të dëshironte që pakënaqësia ndaj qeverisë të shndërrohet në kundërshtim ndaj orientimit perëndimor të Shqipërisë. Ka edhe një ironi: Dugin-i flet për zgjimin e shqiptarëve, por e përshkruan kombin shqiptar përmes kategorive që i shërbejnë vizionit të tij për qytetërimet dhe rendin botëror. Te e fundit, shqiptarët protestojnë për arsyet e tyre, pa e pranuar interpretimin rus të protestave. A po i përshëndet Dugin-i shqiptarët që kërkojnë llogaridhënie nga pushteti, apo po përpiqet t’ua caktojë drejtimin politik këtij pakënaqësie?!

Mbështetja publike ruse është një realitet!

E, pra, qenka përkrahja gjeopolitike: përpjekja për t’i dhënë protestës një drejtim që i shërben interesave të një fuqie të jashtme, siç është Rusia me kundërvënien e saj ndaj NATOs dhe Bllokut europerëndimor!

3. NARRARIVAT PROSERBE E RUSOMËDHA: PËRSE DUGIN QUHET FILOZOF FASHIST?!

Aleksandr Dugin (Alexander Dugin) është quajtur filozof politik, shkrimtar dhe ideolog nacionalist rus, i lindur më 7 janar 1962 në Moskë (kam pasur rast të lexoj në gjuhët sllave për të). Ai njihet për idetë e tij për fuqizimin e Rusisë dhe për kundërshtimin e ndikimit politik e kulturor të Perëndimit. Është përkrahës i Putinit

Dugin mbështet vizionin e një Rusie të fuqishme, që të ketë ndikim të madh në hapësirën e Euroazisë. Duke e përkrahur edhe luftën ruse kundër Ukrainës, agresionin ushtarak ai e paraqet si mision historik, ndërsa zgjerimin e pushtetit si e drejtë e një qytetërimi, filozofia shndërrohet në justifikim ideologjik të forcës. Koincept i tij i Euroazisë, me idenël se Rusia duhet të udhëheqë një bllok të madh politik e kulturor euroaziatik, si alternativë ndaj rendit perëndimor; ka gjetur mbështetje tek jo pak qarqe edhe në Ballkan. Disa media e kanë quajtur “”truri i Putinit” për shkak të ideve të tij radikale për Rusinë , ide neo-fashsite, meqë është radikalist i djathtë dhe me ngjashmëritë mes disa prej qëndrimeve të tij dhe retorikës së Putinit.

Pse quhet filozof një njeri që ndërton ideologji të agresionit, të zgjerimit të pushtetit dhe të nënshtrimit të popujve të tjerë?

Dugin-i ka shkruar libra, ka zhvilluar një sistem konceptesh politike dhe gjeopolitike dhe është marrë me Heidegger-in, me traditën konservatore dhe teoritë e qytetërimeve, prandaj disa studiues e trajtojnë si filozof politik ose teoricien politik. Por studiues të tjerë e vënë pikërisht këtë status në pikëpyetje: artikulli akademik i Ronald Beiner-it, Alexander Dugin: Philosopher or Ideologue?, i botuar në revistën Studies in East European Thought…

Për ta kuptuar afrimin e Aleksandër Dugin-it me fashizmin dhe nazizmin, duhet të shohim jo vetëm çfarë thotë ai për Rusinë, por edhe ÇFARË TË DREJTASH U NJEH POPUJVE TË TJERË dhe me çfarë mjetesh e konsideron të lejueshme për realizimin e projektit të tij politik!? Studimet akademike e lidhin mendimin e tij me tradita neofashiste, me nacionalizmin ekstrem rusomadh dhe me imperializmin. Fashizmi klasik e paraqiste kombin si një bashkësi të rënë në krizë, që duhej të rilindte përmes një mobilizimi radikal. Dugin-i e paraqet Rusinë si një qytetërim të veçantë që duhet të rimarrë madhështinë dhe misionin historik. Ky kombinim i nacionalizmit ekstrem me mitin e rilindjes është një ngjashmëri e rëndësishme me traditën fashiste. Në librin Bazat e gjeopolitikës, Dugin-i paraqet një projekt të zgjerimit të ndikimit rus dhe të dobësimit të ndikimit perëndimor në hapësirën euroaziatike. Në rastin e Ukrainës, ide të tilla përplasen me parimin se çdo popull ka të drejtë të vendosë vetë të ardhmen e vet. Kjo i afrohet traditave fashiste që e vënë fuqinë dhe zgjerimin e shtetit mbi barazinë sovrane të kombeve.

Dugin-i kundërshton individualizmin liberal, demokracinë liberale dhe idenë e një rendi politik të mbështetur te të drejtat universale. Ai dëshiron që kolektiviteti (etnosi, tradita dhe qytetërimi) të zënë vendin kryesor në politikë. Kjo pikëpamje dhe qasje ngjan me mendimin fashist, i cili e nënshtron individin ndaj një bashkësie të përfytyruar si organike. Dugin-i mbështetet te mendimtarë si Carl Schmitt, teoricieni i dallimit politik mik–armik, i cili u bë përkrahës i regjimit nazist. Në këtë mënyrë të të menduarit, kundërshtari nuk shihet thjesht si dikush me mendim tjetër, por mund të trajtohet si kërcënim ekzistencial ndaj bashkësisë. Kur kjo logjikë shndërrohet në justifikim për eliminimin ose nënshtrimin e kundërshtarit, afrohet me praktikat autoritare dhe fashiste. Sipas projektit euroaziatik të Dugin-it, bota duhet të organizohet rreth qytetërimeve të mëdha, me Rusinë si qendër të një blloku të vetin. Ky qëndrim do të përdoret për të justifikuar pretendimin se fuqitë e mëdha kanë të drejtë të kontrollojnë hapësirat përreth tyre. Ngjashmëria me imperializmin fashist qëndron te hierarkia e fuqive dhe te kufizimi i lirisë së shteteve më të vogla, jo te fakti që çdo koncept i qytetërimeve është vetvetiu fashist.

Në disa pjesë të mendimit të tij, Dugin-i përdor gjuhë heroike, apokaliptike dhe mistike për historinë, vullnetin dhe konfliktin. E oaml se s e dizajnon ESTETIKISHT historinë shqiptare me vetëm një a dy fjali!!! Kjo qasje iu afrohet traditave fashiste që e romantizojnë luftën dhe sakrificën si mjete të rilindjes kombëtare.

ë librin e tij Bazat e gjeopolitikës, Dugin-i e vendos Serbinë në qendër të konceptit të tij për «Rusinë e Jugut» në Ballkan dhe shkruan: «Serbia është Rusia». Në një intervistë të nëntorit 2025, ai tha gjithashtu se sovraniteti i Ukrainës, sipas tij, nuk ka peshë të pavarur, sepse Ukraina është territor ku përplasen sferat e ndikimit të Rusisë dhe Perëndimit.

Nëse sovraniteti i Ukrainës mund të trajtohet si çështje e sferës ruse të ndikimit, sovraniteti i Kosovës mund të trajtohet nga i njëjti këndvështrim si çështje e sferës serbe.

Dhe ai e ka shprehur hapur mbështetjen për narrativën serbe: në vitin 2019, në Beograd, e përshkroi ndërhyrjen e NATO-s më 1999 si padrejtësi ndaj Serbisë dhe e lidhi vuajtjen serbe me një mision historik e shpirtëror.

4. PARADOKSI I DUGIN-IT: LAVDËRIMI I SHQIPTARËVE PA UA NJOHUR TË DREJTËN PËR TË VENDOSUR VETË FATIN E TYRE

Kam shjruar njpherë edhe për paradokset e disa filoziofëve të Tiranës. Dhe, Cute Duigini ka një paradoks mbi paradokse: është ky ideologu flet për identitetin, historinë dhe madhështinë e një populli siç qenkan shqiptarët), POR PA IA NJOHUR ATIJ TË DREJTËN PËR TË VENDOSUR VETË FATIN E VET!

Dugin-in duhet ta gjykojmë jo nga fjalët e tij të mira për shqiptarët, por nga parimet që mbron dhe nga mënyra si i zbaton ato ndaj Ukrainës, Kosovës dhe popujve të tjerë; për shkak se miqësia e vërtetë politike nuk matet me lavdërimet, por me respektimin e sovranitetit dhe të së drejtës së një populli për të zgjedhur vetë rrugën e tij.

(18 tetor 2026)

Artikuj të ngjashëm

Reklamë