Kalo te përmbajtja / Skip to content
Politikë

Ish-ambasadori William Walker propozon kandidatin për President të Kosovës, zbardhet letra drejtuar liderëve politikë

AutoktonPublikuar më 26.8.2026Përditësuar më 26.8.2026Lexim prej 4 minutash

Ish-ambasadori William Walker, u është drejtuar me një letër liderëve të partive politike në Kosovë, duke propozuar Faton “Tony” Bislimin si kandidat për President.

 Ish-ambasadori William Walker
Diplomati amerikan me anë të një letre drejtuar liderëve të partive politike ka shprehur shqetësimin e tij për bllokadën e tejzgjatur të procesit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri.

Letra u është dërguar të gjithë liderëve të partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, me kërkesën që emri dhe kualifikimet e Bislimit të merren në konsideratë gjatë diskutimeve për presidentin, raporton Telegrafi.

Faton “Tony” Bislimi
“Si mik i Kosovës, jam thellësisht i shqetësuar, ashtu siç jam i bindur se jeni edhe ju dhe qytetarët e Kosovës, për bllokadën e tejzgjatur të procesit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të ri.

Kam dëgjuar emrat e disa kandidatëve të mundshëm. Të gjithë meritojnë të merren në konsideratë, por, sipas vlerësimit tim, asnjëri prej tyre nuk i përmbush në tërësi aftësitë, përvojën dhe profilin personal që kërkon posti i Presidentit. Prandaj, më lejoni të propozoj një emër”, thuhet nder te tjera ne leter.

Letra e plote: 

Nga: Ambasadori (në pension) William G. Walker

 
Lënda: Propozim për kandidaturë për President të Kosovës

Si mik i Kosovës, jam thellësisht i shqetësuar, ashtu siç jam i bindur se jeni edhe ju dhe qytetarët e Kosovës, për bllokadën e tejzgjatur të procesit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të ri. Nuk besoj se zgjedhje të tjera do të sillnin qartësi apo zgjidhje për këtë situatë, e aq më pak ta rikthenin Kosovën në rrugën e një qeverisjeje efektive.

Në mënyrë që institucioni i Presidencës ta ushtrojë me sukses rolin e tij, Kosovës i nevojitet një person me aftësi të veçanta dhe me përkushtim të fuqishëm për ta avancuar vendin drejt pozitës që i takon në botë.

Kam dëgjuar emrat e disa kandidatëve të mundshëm. Të gjithë meritojnë të merren në konsideratë, por, sipas vlerësimit tim, asnjëri prej tyre nuk i përmbush në tërësi aftësitë, përvojën dhe profilin personal që kërkon posti i Presidentit. Prandaj, më lejoni të propozoj një emër.

Faton “Tony” Bislimin e njoh prej shumë vitesh. Kemi diskutuar shpesh për politikën e Kosovës, si në planin e brendshëm, ashtu edhe për vendin e këtij shteti të ri në Evropë dhe në botë. Nuk kam asnjë dyshim për pavarësinë e tij në mendim dhe për aftësinë e tij për t’i artikuluar dhe mbrojtur qartë qëndrimet e veta për çfarëdo çështjeje.

Sipas mendimit tim, ndër emrat që mund të merren në konsideratë, Fatoni i posedon të gjitha aftësitë e nevojshme, si dhe profilin personal që kërkohet për të qenë një President i suksesshëm.

Më lejoni t’i rendis disa prej cilësive që, sipas meje, janë thelbësore për ushtrimin me sukses të detyrës së Presidentit:

1. Njohja e botës përtej Kosovës

Fatoni ka jetuar, udhëtuar dhe studiuar në vende të ndryshme të Evropës dhe Amerikës së Veriut. Njohuritë dhe përvoja e tij ndërkombëtare janë të jashtëzakonshme.

2. Formim i shkëlqyer akademik

Studimet e Fatonit në Kosovë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada kanë qenë të nivelit më të lartë. Po ashtu, aftësitë e tij si edukator dhe ligjërues janë dëshmuar gjerësisht.

3. Aftësitë komunikuese.

Fatoni zotëron në mënyrë të plotë shqipen dhe anglishten, ndërsa, me sa di, edhe frëngjishten.

4. Njohje e thellë e procesit të shtetformimit të Kosovës

Fatoni ka njohuri dhe kuptim të jashtëzakonshëm për rrugëtimin e Kosovës para, gjatë dhe pas luftës së viteve ’90, si dhe për proceset komplekse dhe personalitetet që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi. Ai ka pasur gjithashtu kontakte personale me shumë prej akterëve të përfshirë.

5. Personaliteti

Fatoni i posedon të gjitha aftësitë e nevojshme sociale. Di të jetë i afërt dhe serioz kur situata e kërkon, por edhe të sjellë lehtësi dhe humor kur është e nevojshme. Janë të paktë ata që largohen nga një bisedë me Fatonin të zemëruar apo të pakënaqur, pavarësisht dallimeve në argumente apo pikëpamje. Pikërisht ky është lloji i personalitetit që kërkohet për një Presidencë të suksesshme.

6. Kandidat i konsensusit

Kosova ka nevojë të madhe për një President që perceptohet si përfaqësues i vendit në tërësi, jo i një partie, i një individi apo i një qëndrimi të ngurtë politik për çdo çështje. Fatoni nuk përfaqëson interesa partiake. Ai përfaqëson bindjet e veta dhe përkushtimin për një Kosovë më të mirë.

Me një fjalë, sipas mendimit tim, Fatoni i posedon të gjitha cilësitë e nevojshme për të qenë një President i suksesshëm i Kosovës.

Kërkoj vetëm që emri dhe kualifikimet e tija të merren në konsideratë gjatë diskutimeve tuaja.

Me respekt dhe me urimet më të mira,

Amb. William G. Walker

Artikuj të ngjashëm