Koci: Kur Shesheli merr 10 vjet, e Thaçi 25, fjala drejtësi e humb kuptimin

Avokati Arianit Koci ka rikujtuar sjelljen e Vojislav Sheshelit gjatë procesit të tij në Tribunalin e Hagës, duke sjellë disa prej deklaratave të tij në sallën e gjyqit dhe duke e krahasuar dënimin e tij me atë të shqiptuar në shkallë të parë ndaj Hashim Thaçit.
“Ja u qifsha nënën të gjithëve, duke filluar nga Hans Holthuis.”, u shpreh sipas Kocit Shesheli në gjykatë.
Koci thotë se këto fjalë Shesheli fillimisht i kishte shkruar, e më pas i kishte përsëritur edhe në sallën e gjyqit.
Shesheli, i dënuar nga Tribunali i Hagës për krime kundër njerëzimit, nuk e njihte autoritetin e Tribunalit dhe këtë e demonstronte hapur edhe gjatë procesit gjyqësor.
Kur gjyqtari Stefan Trechsel i kërkoi të ngrihej për shpalljen e dënimit, Shesheli refuzoi.
“Me u çu unë për ju? Ju nuk jeni normalë. Ju jeni llumi i botës. Unë jam vojvodë çetnik”, citohet të ketë thënë ai.
Sipas Kocit, nga fyerjet e Sheshelit nuk kishte shpëtuar as Carla Del Ponte, atëherë kryeprokurore e Tribunalit të Hagës. Ai e kishte quajtur “kurvë” dhe kishte konfirmuar në sallën e gjyqit se kishte botuar librin me titullin “Në nofullat e kurvës Del Ponte”.
Shesheli nuk e njihte autoritetin e Tribunalit. Ai e shau gjyqtarin, sekretarin dhe kryeprokuroren, ndërsa refuzimin për t’u ngritur në sallën e gjyqit e përdorte si shenjë përbuzjeje.
Por, sipas Kocit, sharjet ishin vetëm fytyra publike e Sheshelit. Pas tyre qëndronte një prej figurave më famëkeqe të luftërave në ish-Jugosllavi, një ideolog i “Serbisë së Madhe” dhe një prej nxitësve më të zëshëm të urrejtjes dhe të dëbimit të popullatës joserbe.
Në Hrtkovci, Shesheli u kishte thënë kroatëve se aty nuk kishte vend për ta dhe se do t’i dëbonte “deri në kufirin e territorit serb”.
Ky “territor serb”, sipas Kocit, nuk përfundonte në kufijtë e Serbisë. Shesheli e shtrinte deri te vija Karlobag, Ogulin, Karlovac, Virovitica. Karlovaci ndodhet rreth 50 kilometra nga Zagrebi, çka nënkuptonte pretendime mbi një pjesë të madhe të Kroacisë, deri në Adriatik.
Shesheli u mbrojt vetë gjatë procesit dhe e përbuzi Tribunalin deri në fund.
Në fund, ai u dënua me 10 vjet burgim.
Hashim Thaçi, ndërkaq, në shkallë të parë u dënua me 25 vjet burgim.
Koci thekson se bëhet fjalë për dy gjykata, dy raste dhe vepra të ndryshme, por, sipas tij, kjo nuk e bën dallimin mes dënimeve më pak skandaloz.
“Kur Shesheli merr 10 vjet, e Thaçi 25, fjala drejtësi e humb kuptimin”, përfundon Koci.



