Kalo te përmbajtja / Skip to content
Politikë

“Ku është dokumenti?” – Geci sfidon akuzat ndaj Donika Gërvallës

AutoktonPublikuar më 27.9.2026Përditësuar më 27.9.2026Lexim prej 2 minutash

Veprimtari ka reaguar ndaj pretendimeve se ka qenë dëshmitare në Hagë, duke kërkuar që për këto akuza të publikohen prova dhe dokumente zyrtare.

Geci thekson se deklaratat publike të Gërvallës për vrasjet politike dhe kërkesat për zbardhjen e tyre nuk nënkuptojnë se ajo ka dëshmuar në Gjykatën Speciale. Sipas tij, nëse ekziston një dokument apo procesverbal që e vërteton këtë, ai duhet të bëhet publik.

Ai ka ngritur gjithashtu pyetje lidhur me protestën “Liria ka Emër”, duke kërkuar të sqarohet kalimi nga mbështetja për ish-krerët e UÇK-së te kritikat politike ndaj Qeverisë Kurti dhe Gërvallës.

Shkrimi i plotë:

AKUZA KUNDËR DONIKA GËRVALLËS KËRKON PROVA, JO SHPIFJE: TREGONI DOKUMENTIN QË E BËN ATE DËSHMITARE TË HAGËS!

Ata që e akuzojnë Donika Gërvallën se ka qenë dëshmitare në Hagë, le ta tregojnë dokumentin ku mbështetet ky pretendim.

Donika Gërvalla ka deklaruar publikisht se nuk ka pasur asnjë pikëtakim me Gjykatën Speciale, drejtpërdrejt apo tërthorazi.

Nëse dikush mbështetet në deklaratat e saj të mëhershme dhe në shqetësimet që ajo ka shprehur për vrasjet politike të atdhetarëve, duhet ta bëjë dallimin qartë: të flasësh publikisht për vrasje, të kërkosh zbardhjen e tyre dhe të shprehësh shqetësime për drejtësinë nuk do të thotë të jesh dëshmitare në Hagë.

Këto janë dy çështje krejt të ndryshme. Prandaj, nëse pretendoni se Donika Gërvalla ka dëshmuar në Hagë ose se ndonjë vendim gjyqësor është bazuar në dëshminë e saj, tregoni dokumentin, procesverbalin apo burimin zyrtar që e vërteton këtë.

Akuza serioze nuk mund të ndërtohet mbi etiketime, interpretime apo thashetheme politike. Le të flasin dokumentet, faktet dhe drejtësia e jo rrenat dhe shpifjet!

Dhe këtu vjen edhe pyetja për protestën “Liria ka Emër”: si u kalua nga mbështetja për ish-krerët e UÇK-së dhe kërkesa për drejtësi, te kërkesat politike kundër Qeverisë Kurti dhe sulmet ndaj Donika Gërvallës?

Nëse qëllimi është drejtësia, atëherë drejtësia duhet të kërkohet me fakte dhe argumente, jo me akuza personale.

Ndërsa për reformën në drejtësi, faktet janë këto: Qeveria e Kosovës e ka miratuar Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, të propozuar nga Ministria e Drejtësisë. Projektligji synon krijimin e një mekanizmi për verifikimin e pasurisë së pajustifikueshme të zyrtarëve publikë.

Sipas projektligjit, Byroja nuk gjykon dhe nuk merr vetë vendimin përfundimtar për konfiskim. Ajo mbledh, verifikon dhe analizon informacionin, ndërsa konfiskimi vendoset nga gjykata, në përputhje me procedurat dhe garancitë ligjore.

Prandaj pyetja është e drejtë: pse duhet të frikësohet dikush nga verifikimi i pasurisë së pajustifikueshme, nëse pasuria është fituar dhe mund të justifikohet ligjërisht?

Ligji duhet të zbatohet njësoj për të gjithë. Jo akuza pa prova, jo pasuri pa burim të ligjshëm ,por dokumente, verifikim, proces të rregullt dhe vendim të gjykatës.

Artikuj të ngjashëm