Kalo te përmbajtja / Skip to content
Politikë

Pasuria pa mbulesë në shënjestër – çfarë parasheh Projektligji për Byronë e Konfiskimit?

AutoktonPublikuar më 28.9.2026Përditësuar më 28.9.2026Lexim prej 6 minutash

Qeveria e Kosovës ka miratuar “Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme”, duke rikthyer në procedurë një prej nismave më të diskutuara ligjore të viteve të fundit, shkruan Kujdestari.info.

Projektligji u miratua në mbledhjen elektronike të Qeverisë të mbajtur më 25 shtator, vendimet e së cilës u publikuan më 26 shtator 2026. Sipas njoftimit të Qeverisë, qëllimi është themelimi dhe organizimi i Byrosë, përcaktimi i kompetencave të saj dhe procedurave për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Në thelb, mekanizmi synon që pasuria e një zyrtari publik të mund të verifikohet kur ekziston mospërputhje ndërmjet pasurisë së tij dhe të ardhurave të ligjshme. Një prej elementeve më të rëndësishme të këtij mekanizmi është karakteri civil i procedurës: çështja e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme nuk është domosdoshmërisht e varur nga një dënim penal.

Ministria e Drejtësisë, vetëm disa ditë para miratimit të fundit, kishte diskutuar me përfaqësues britanikë pikërisht modelin e konfiskimit të pasurisë pa dënim penal, raportin ndërmjet procedurave civile dhe penale, standardin e provës, hetimet financiare dhe gjurmimin e pasurisë. (DOKUMENT)

Nga 17 shkurti 2008, pasuria e zyrtarëve mund të kalojë në sitë

Një prej pikave më të rëndësishme të skemës së paraparë për Byronë është periudha që mund të përfshihet në verifikim.

Modeli ligjor parasheh verifikimin e pasurisë së pajustifikueshme të fituar duke filluar nga 17 shkurti 2008, pra nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Kjo do të thotë se mekanizmi nuk është konceptuar vetëm për pasurinë që do të krijohet pas hyrjes në fuqi të ligjit, por mund të shtrihet edhe te pasuria e krijuar gjatë viteve të mëparshme nga personat që kanë ushtruar funksione publike, sipas kushteve dhe afateve të përcaktuara në ligj. Pikërisht shtrirja kohore ka qenë ndër çështjet që janë trajtuar edhe nga në shqyrtimin e versionit të mëparshëm të ligjit.

Pragu prej 25 mijë eurosh

Një tjetër pikë kyçe është diferenca ndërmjet të ardhurave të ligjshme dhe pasurisë së zyrtarit.

Mekanizmi i paraparë aktivizohet kur nga verifikimi rezulton një mospërputhje që kalon 25 mijë euro ndërmjet pasurisë dhe të ardhurave të ligjshme.

Pra, nëse një zyrtar ka pasuri për të cilën ekziston një diferencë prej mbi 25 mijë eurosh që nuk mbulohet nga të ardhurat e ligjshme, Byroja mund ta çojë çështjen më tej drejt procedurës për konfiskim.

Por Byroja nuk do ta marrë vetë vendimin përfundimtar për konfiskim. Vendimi përfundimtar për pasurinë i takon gjykatës.

Byroja verifikon, mbledh informacionet dhe provat dhe mund të paraqesë propozimin për konfiskim, ndërsa gjykata vendos nëse janë plotësuar kushtet ligjore.

Nuk kërkohet domosdoshmërisht dënim penal

Kjo është ndoshta pjesa më e fuqishme e mekanizmit të ri.

Procedura për pasurinë e pajustifikueshme është konceptuar si procedurë civile e ndarë nga procedura penale.

Pra, për të kërkuar konfiskimin e pasurisë nuk është e domosdoshme që paraprakisht personi të jetë dënuar penalisht për korrupsion apo ndonjë vepër tjetër penale dhe më pas të provohet se pikërisht ajo vepër penale e ka prodhuar pasurinë.

Gjykata Kushtetuese, duke përshkruar modelin e ligjit të mëparshëm, e kishte karakterizuar atë pikërisht si konfiskim civil të pasurisë së pajustifikueshme, pa qenë e nevojshme të provohet në procedurë penale se pasuria është fituar përmes kryerjes së një vepre penale.

Barra e provës, zyrtari duhet ta justifikojë pasurinë

Një element tjetër shumë i rëndësishëm lidhet me barrën e provës.

Byroja duhet fillimisht të paraqesë para gjykatës prova që, sipas standardit civil të “vlerësimit të gjasave”, tregojnë se pasuria që po shqyrtohet është e pajustifikueshme.

Më pas, personi pasuria e të cilit është objekt i procedurës duhet të paraqesë prova për të dëshmuar të kundërtën, pra të justifikojë prejardhjen e pasurisë.

Në modelin e shqyrtuar nga Kushtetuesja, standardi civil nënkupton, në thelb, që gjykata vlerëson nëse nga provat është më e mundshme që një fakt të jetë i vërtetë sesa të mos jetë i tillë.

Në verifikim mund të hyjnë edhe palët e treta

Fokusi nuk mbetet domosdoshmërisht vetëm te pasuria që figuron drejtpërdrejt në emër të zyrtarit.

Mekanizmi parashikon mundësinë e zgjerimit të verifikimit edhe ndaj palëve të treta, kur dyshohet se pasuria e zyrtarit është bartur te një person tjetër.

Kjo dispozitë është e rëndësishme për rastet kur një pronë, kompani apo pasuri tjetër mund të mos figurojë më në emër të personit që është subjekt i verifikimit.

Në versionin e trajtuar nga Gjykata Kushtetuese, “palë e tretë” përfshinte persona fizikë ose juridikë te të cilët ishte bartur pasuria ose që kishin apo mund të kishin interes juridik mbi pasurinë e palës në procedurë.

Byroja mund të kërkojë sigurimin e pasurisë

Projektligji nuk kufizohet vetëm te verifikimi në letër.

Kur plotësohen kushtet ligjore, Byroja mund t’i drejtohet gjykatës edhe për vendosjen e masave të përkohshme për sigurimin e pasurisë që është duke u verifikuar.

Qëllimi është që pasuria që është objekt i procedurës të mos tjetërsohet ose të bëhet e paarritshme derisa të merret vendimi përfundimtar.

Edhe në këtë rast ndërhyrja mbi pasurinë nuk është vendim përfundimtar i vetë Byrosë, por përfshin gjykatën.

Çfarë ndodh nëse zyrtari nuk e arsyeton pasurinë?

Procedura, në parim, funksionon në disa etapa.

Fillimisht Byroja mbledh dhe analizon të dhënat mbi pasurinë dhe të ardhurat. Personit të përfshirë në procedurë i jepet mundësia të paraqesë dokumente dhe prova për burimin e pasurisë.

Në modelin e mëparshëm të analizuar nga Kushtetuesja, pala kishte 60 ditë për të ofruar prova dhe të dhëna për justifikimin e prejardhjes së pasurisë së listuar.

Nëse pas analizimit rezultonte se diferenca nuk ekzistonte ose nuk kalonte pragun prej 25 mijë eurosh, rasti mbyllej.

Nëse, në anën tjetër, mospërputhja tejkalonte 25 mijë euro dhe plotësohej standardi civil i provës, çështja mund të dërgohej në gjykatë me propozim për konfiskim.

Një projektligj me histori të gjatë kushtetuese

Projektligji që Qeveria e ka miratuar tani nuk është një nismë e krijuar nga fillimi.

Përpjekja për krijimin e këtij mekanizmi ka kaluar nëpër një proces të gjatë institucional dhe kushtetues.

Gjykata Kushtetuese kishte shqyrtuar ligjin e mëparshëm dhe kishte evidentuar probleme kushtetuese në disa prej dispozitave të tij, përfshirë çështje që lidheshin me fushëveprimin, periudhën e verifikimit, garancitë procedurale dhe organizimin institucional të Byrosë.

Ministria e Drejtësisë thotë se gjatë hartimit dhe rishikimit të versionit të vitit 2026 janë marrë për bazë tri opinione të Komisionit të Venecias, rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese, si dhe kontributet e ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë. Ky është qëndrimi i Ministrisë për mënyrën se si është përgatitur versioni i ri.

Projektligji nr. 10/L-019 ishte prezantuar në Kuvend nga ministrja e Drejtësisë, , më 17 prill 2026. Më 22 prill, Komisioni parlamentar për Legjislacion kishte organizuar edhe dëgjim publik për të.

Pas zhvillimeve të mëvonshme, Qeveria e ka miratuar sërish projektligjin në mbledhjen elektronike të fundit, duke hapur rrugën që teksti të procedohet përsëri për shqyrtim parlamentar.

Pikat kryesore të projektligjit

Në përmbledhje, mekanizmi i propozuar sjell disa ndryshime thelbësore në mënyrën se si shteti mund të trajtojë pasurinë e pajustifikueshme:

krijohet një Byro e posaçme shtetërorepër verifikimin e pasurisë;

mekanizmi synon pasurinë e pajustifikueshme të zyrtarëve publikë sipas fushëveprimit që përcakton ligji;

verifikimi mund të prekë pasuri që daton që nga 17 shkurti 2008;

pragu i rëndësishëm financiar është mospërputhja mbi 25 mijë eurondërmjet pasurisë dhe të ardhurave të ligjshme;

procedura e konfiskimit është civiledhe nuk kushtëzohet domosdoshmërisht me një dënim penal;

Byroja duhet të paraqesë prova për mospërputhjen, ndërsa më pas personi i verifikuar duhet të dëshmojë prejardhjen e ligjshme të pasurisë;

verifikimi mund të shtrihet edhe te palët e tretakur ka indikacione se pasuria është bartur tek ato;

mund të kërkohen masa të përkohshme për sigurimin e pasurisë;

Byroja nuk e konfiskon vetë pasurinë, vendimin përfundimtar e merr gjykata.

Nëse miratohet përfundimisht nga Kuvendi dhe hyn në fuqi, Kosova do të ketë një mekanizëm të posaçëm të konfiskimit civil. /Kujdestari.info/

Artikuj të ngjashëm