Spahiu: Kurti rrezikon të akuzohet për pengim të drejtësisë me ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara

Analisti politik Nexhemedin Spahiu ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë rrezik të madh politik dhe juridik me miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Në një deklaratë për mediumin në gjuhën serbe “Kosova Online”, Spahiu tha se Kurti, sipas tij, i bëri një lëshim Partisë Demokratike të Kosovës duke mbështetur ndryshimet në ligj, por në të njëjtën kohë e vendosi veten në një situatë ku mund të përballej me pasoja nga Dhomat e Specializuara, transmeton Zeri.info.
“Ai e arriti qëllimin e tij, i bëri një lëshim PDK-së duke miratuar ligjin, por ndërsa po luante skenën politike të brendshme, ai vetë rrezikoi shumë, sepse tani Dhomat e Specializuara në Hagë mund ta akuzojnë atë për pengim të drejtësisë duke mbështetur miratimin e ligjit”, tha Spahiu.
Sipas tij, ligji i miratuar nuk ka ndikim në proceset që zhvillohen në Hagë dhe mund të përfundojë edhe para Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Spahiu pretendoi gjithashtu se ndryshimet mund të paraqesin kërcënim për dëshmitarët në rast se Dhomat e Specializuara nisin procedura të tjera penale.
“Siç njoftoi Gjykata Speciale, mund të ketë akuza të tjera, përveç atyre që janë gjykuar. Kjo do të përbënte kërcënim të dëshmitarëve dhe mendoj se Kurti mund të akuzohej nga gjykata për pengim të drejtësisë”, u shpreh ai.
Analisti i cilësoi si “të dyshimta” edhe ndryshimet e bëra në ligj, duke ngritur pikëpyetje rreth autorësisë së tyre.
Ndërkohë, ai tha se protestat dhe presioni politik në Kosovë nuk mund të ndikojnë në punën e Dhomave të Specializuara.
“Ky ligj nuk ka efekt në asgjë, as nuk u sjell dobi atyre që presin një vendim të shkallës së dytë në Hagë”, tha Spahiu.
Sipas tij, procesi në Hagë nuk mund të zhbëhet pas krijimit dhe funksionimit të Dhomave të Specializuara.
“Parlamenti i Kosovës mori atë vendim, Presidenti i Kosovës arriti një marrëveshje me bashkësinë ndërkombëtare dhe gjërat nuk mund të kthehen prapa. Një fëmijë që lind nuk mund të kthehet në barkun e nënës, kjo është e panatyrshme. Gjykata Speciale, e cila u krijua dhe e ka bërë punën e saj deri diku, nuk mund të kthehet në zero. Kjo do të ishte qesharake dhe e panatyrshme”, përfundoi Spahiu.



