Daçiç nuk heq dorë: Prizreni ishte kryeqyteti ynë, do presim dhe pak…

Ministri i Brendshëm i Serbisë, dhe udhëheqësi i Partisë Socialiste të Serbisë, Ivica Daçiç, e ka vënë çështjen e Kosovës në qendër të fushatës së tij për zgjedhjet e përgjithshme të 25 tetorit në Serbi.
Pasi shkaktoi stuhi në Tiranë e Prishtinë me deklaratën se flamuri i Serbisë do të valëvitej sërish në Prizren, Daçiç nuk hezitoi të ripërsëriste këtë qëndrim në një tubim të ri elektoral në Beograd, duke sfiduar edhe ish ministrin gjerman, Michael Roth që siç tha, e kishte sulmuar për një koment të tillë….
“Ai tha: Si guxon Daçiç të thotë diçka të tillë? Epo, unë guxoj! Ne jemi ndryshe nga të tjerët. Guxojmë, sepse kështu mendojmë dhe sepse Kosovën e Metohinë i kemi mbrojtur me luftë. E sidomos unë guxoj ta them këtë, sepse kam lindur në Prizren, ku sot jetojnë më shumë se 20 serbë. Tridhjetë vjet më parë, atje jetonin më shumë se 10.000 prej tyre. Dhe tetë shekuj më parë, aty ndodhej kryeqyteti i parë serb. Nuk ka pse të ndodhë nesër, por do të ndodhë ashtu siç kemi bërë edhe më parë. Ne pritëm katër shekuj e gjysmë dhe e shenjtëruam Kosovën me në Kumanovë”.
Ai tha se Kosova dhe Metohia, siç e quajti, nuk është një mit, por një luftë e vazhdueshme për territorin e tyre dhe se nuk ka Serbi pa Kosovë. Daçiç vlerësoi lart figurën e Millosheviçit, që sipas tij i ktheu lavdinë serbëve, dhe quajti Kinën e Rusinë si miqtë më të mirë të vendit, pasi e mbështesnin Serbinë për çështjen e Kosovës.
“Unë ndihmova më shumë se 20 vende të tërheqin njohjen e tyre për pavarësinë e të ashtuquajturës Kosovë. Nëse ne jemi faktor, do të vazhdojmë me atë politikë. Edhe 10, 20 vende të tjera do të tërheqin njohjen e tyre për Kosovën . Ne po e vazhdojmë këtë luftë. Rusia , Kina dhe të tjerët që votojnë kundër Kosovës në organizatat ndërkombëtare janë miqtë tanë. Dhe asnjë sanksion, asnjë armiqësi ndaj tyre nuk është në diskutim. Unë nuk jam rusofil, jam serbofil. Na duhet kjo për hir të Serbisë”.
Daçiç shprehu qëllimin për të kandiduar si president i vendit, kur të shpallet zgjedhjet presidenciale. Partia e Daçiç, e cila është themeluar nga vetë Millosheviçi garon me sloganin, Faktori i Stabilitetit, term i cili u përdorë nga diplomatë ndërkombëtar për të përshkruar rolin e kriminelit të luftës në vitet 90-të, para se ai të përfundonte në Hagë.



