Francë, 23-vjeçari nga Kosova dënohet me dy vjet burg

Një 23-vjeçar me origjinë nga Kosova është dënuar me dy vjet burg në Francë, pasi u shpall fajtor për shpërndarje të lëndëve narkotike në zonën e Moûtiers.
Sipas gazetës franceze Le Dauphiné Libéré, i riu punonte për rrjete shqiptare të trafikut dhe paguhej rreth 4.500 euro në muaj.
Rasti nisi më 19 gusht, kur xhandarët në Moûtiers vunë re një Citroën DS3, ndaj të cilit ishte vendosur më herët një masë immobilizimi. Gjatë kontrollit, drejtuesi i automjetit, i përshkruar nga media franceze si me origjinë nga Kosova, rezultoi pozitiv në testet për kanabis dhe kokainë. Në posedim iu gjetën gjithashtu 1.280 euro, kryesisht në kartëmonedha të prerjeve të vogla.
Hetuesit më pas kontrolluan dhomën e hotelit në Moûtiers ku 23-vjeçari jetonte së bashku me partneren. Nën krevat u gjetën dy armë të kalibrit 9 mm, ndërsa në një valixhe u sekuestruan 2.500 euro para të gatshme dhe municion që përputhej me armët e gjetura. Në dhomë u gjetën gjithashtu kanabis i tharë, doza kokainë dhe amfetamina.
Sipas raportimit, 23-vjeçari e pranoi gjatë marrjes në pyetje se prej disa muajsh shpërndante lloje të ndryshme narkotikësh në emër të trafikantëve shqiptarë. Udhëzimet për shpërndarjen dyshohet se i merrte rregullisht përmes aplikacionit të komunikimit “Signal”.
Për këtë aktivitet ai merrte rreth 4.500 euro në muaj. Gjatë hetimeve kishte bashkëpunuar me xhandarët, duke i dërguar ata edhe në disa zona pyjore ku mbaheshin të fshehura lëndët narkotike.
Para Gjykatës Penale të Albertville, më 24 gusht, i riu nga Kosova, i cili sipas raportimit banonte në Shqipëri, tregoi se oferta për këtë “punë” i ishte bërë në një kafene në Shqipëri. Ai deklaroi se e kishte pranuar për shkak se i nevojiteshin para për të jetuar.
Prokuroria, megjithatë, nuk e pranoi këtë arsyetim, duke vlerësuar se pagesa prej 4.500 eurosh në muaj tregonte se motivi kryesor kishte qenë përfitimi financiar nga aktiviteti i paligjshëm.
Në përfundim të procesit, gjykata e dënoi 23-vjeçarin me dy vjet burg dhe 10.000 euro gjobë. Atij iu shqiptua gjithashtu ndalim i përhershëm i qëndrimit në territorin francez.
Burimi: /Urgjent.com/



