Elvana Gjata reagon për studentët: Protesto, ulërit, frymëzo! Por mos shkatërro, mos digj, mos dhuno!

Këngëtarja e njohur Elvana Gjata ka reaguar për protestën e studentëve në Tiranë, duke shprehur shqetësimin për përshkallëzimin e situatës dhe përplasjet e dhunshme mes protestuesve dhe policisë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gjata thotë se e lëndon të shohë të rinjtë të mbushur me zemërim dhe zhgënjim, ndërsa shpreh dëshpërimin për përsëritjen e skenave të dhunës në vend.
Ajo ndalet te dhuna ndaj protestuesve dhe efektivëve të policisë, si dhe te përplasja mes qytetarëve, duke ngritur pyetjen nëse është e pamundur që pakënaqësitë të shprehen përmes fjalës dhe dialogut.
Këngëtarja i drejtohet gjithashtu politikës dhe qeverisë, duke u kërkuar të dëgjojnë zërin e të rinjve pa paragjykime dhe të krijojnë hapësirë për një dialog të vërtetë.
“Mos e shkatërroni këtë vend! Jemi shumë të brishtë për të mbajtur edhe plagët që ia shkaktojmë vetes!”, shkruan ajo.
Në fund të reagimit, Gjata mbështet të drejtën për protestë dhe shprehjen e pakënaqësisë qytetare, por bën thirrje që ato të mos shoqërohen me shkatërrime, zjarrvënie apo dhunë.
“Protesto! Ulërit! Frymëzo! Bashkohu në protestë qytetare! Por mos shkatërro! Mos digj! Mos dhuno!”, është mesazhi i këngëtares.

Ajo thekson se vendi u përket të gjithëve, edhe atyre që kanë bindje të ndryshme, ndërsa e cilëson rininë si të ardhmen e Shqipërisë, e cila meriton mundësi dhe perspektivë më të mirë.



