Roza Lati ngre alarmin për protestuesit: “Nëse arrestoheni, MOS bëni këto 6 gjëra”

Roza Lati ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me protestat në Tiranë, duke shpërndarë një mesazh me udhëzime për qytetarët që mund të përballen me ndalimin ose arrestimin nga policia.
Përmes një postimi në Instagram Story, Lati ka publikuar një listë me gjashtë këshilla, ku theksi vihet te e drejta për të kontaktuar familjarët, prania e avokatit dhe kujdesi gjatë dhënies së deklaratave.
“Nëse arrestoheni”, nis mesazhi i shpërndarë prej saj, duke këshilluar qytetarët që të kërkojnë mundësinë për të kryer telefonatën që u takon sipas ligjit dhe të kontaktojnë një avokat.

Në vijim, postimi u bën thirrje protestuesve të mos nënshkruajnë dokumente apo të japin deklarata pa praninë e përfaqësuesit të tyre ligjor. Një tjetër këshillë është që të mbajnë mend orën e arrestimit dhe momentin kur janë dërguar në komisariat.
Mesazhi përmban edhe paralajmërime për presione të mundshme gjatë shoqërimit apo qëndrimit në ambientet e policisë, duke u kërkuar qytetarëve të mos pranojnë veprime nën presion.
“Mos bini pre e asnjë presioni”, thuhet në përfundim të postimit që moderatorja ka zgjedhur të ndajë me ndjekësit e saj.



