Gjykata e liroi nga arresti i shtëpisë, vjen reagimi nga Jozefin Marku: Ka një diell që më shoqëron kudo

Gjykata e Apelit ndryshoi sot masën e sigurisë për Jozefin Markun, duke e liruar nga arresti i shtëpisë dhe duke caktuar për të masën “detyrim paraqitje”.
Pas vendimit, ka ardhur reagimi nga vetë Marku, i cili ka publikuar një foto në rrjetet e tij sociale.
Krahas fotos, ai shkruan se ‘dielli e shoqëron kudo’ dhe ‘i ndriçon rrugën edhe atëherë kur përreth bëhet errësirë’.
“Ka një diell që m’shoqnon kudo… Ma ndriçon rrugën edhe atëherë kur përreth bëhet errësirë. Nuk më tregon vetëm ku të shkoj, por më kujton çdo ditë të mos ndalem së ndriçuar edhe vetë. Ju Dua”, shkruan ai krahas fotos në “Instastory”.

Ndërkohë postimin në fjalë e ka shoqëruar me një këngë të tij që mban titullin ‘Ylli i mbrëmjes’.
Këngëtari u arrestua në fillim të shtatorit, pas publikimit të pamjeve filmike ku ai dhe disa persona të tjerë shfaqeshin duke dhunuar Eduard Kuçin. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur pranë mbikalimit të Rinasit, ndërsa në pamjet e publikuara Kuçi shihet teksa ndalohet në rrugë dhe nxirret nga automjeti i tij. Sipas hetimeve, për ndalimin e tij është përdorur edhe një tabelë e Policisë së Shtetit.



