Merret vendimi për Joz Markun, Gjykata e Apelit ndryshon masën ndaj këngëtarit

Gjykata e Apelit ka dhënë vendimin për këngëtarin Jozef Marku, i njohur si Joz Marku, i cili u arrestua në fillim të muajit shtator.
Sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, Apeli ka vendosur që Marku të lihet në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, duke ndryshuar kështu situatën e tij pas arrestimit.
Këngëtari u vu në pranga pas publikimit të disa pamjeve filmike, ku ai dhe persona të tjerë shfaqeshin gjatë një konflikti me Eduard Kuçin.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur pranë mbikalimit të Rinasit. Në pamjet e bëra publike, Kuçi shihej teksa ndalohej në rrugë dhe më pas nxirrej nga automjeti ku ndodhej.
Sipas të dhënave të hetimit të bëra publike më herët, për ndalimin e automjetit dyshohet se është përdorur edhe një tabelë e Policisë së Shtetit.
Pas disa javësh nga arrestimi, çështja ka kaluar në Apel, ndërsa vendimi i fundit i mundëson Joz Markut të dalë nga qelia dhe të vijojë procedurën ndaj tij nën masën “detyrim paraqitje”.



