“Ma ka bërë jetën më të bukur”/ Mes lotësh, Erand Sojli rrëfen dhimbjen për humbjen e nënës: M’u duk sikur m’u shkëput një rrënjë e madhe

Për aktorin Erand Sojli, ndarja nga jeta e së ëmës ka qenë një nga momentet më të vështira, një përjetim që e ka ndryshuar.
I ftuar në emisionin “Takohemi n’Vizion”, Sojli ka rrëfyer dhimbjen gjatë sëmundjes së nënës, si edhe përpjekjen për t’i qëndruar pranë në vitet e fundit të jetës së saj.
Aktori tregoi se, ndonëse e dinte se humbja e një prindi është një dhimbje e madhe, nuk e kishte menduar se do të vinte një moment kur do t’i lutej Zotit që ajo të gjente paqe.
Erand Sojli kujtoi edhe çastet e funeralit, kur e kuptoi përmasën e mungesës, duke e krahasuar ndarjen nga e ëma me shkuljen e një rrënje të madhe, që lë pas një boshllëk të pazëvendësueshëm në jetën e njeriut.
“Kisha dëgjuar që humbja e nënës ishte një dhimbje e madhe. Unë e kam pasur dhe larg. Këto dy vite që erdha, jam përpjekur t’i rri afër. S’e kisha menduar që kur vjen një pikë, ti lutesh për të, për të gjetur paqe. Lutesha ta merrte Zoti. Erandi që është sot, jam prej asaj nëne. Ma ka bërë jetën shumë të bukur. Më ka ushqyer dashurinë për të bukurën.
Isha i fortë prej vëllait, se ai ishte kujdesur gjatë gjithë kohës për nënën. Unë bëja sikur isha më i fortë për t’u dhënë kurajo, por në momentin që u shkëput nga ne, ndjeva një proces që kam dëshirë ta ndaj. Kur nisi procesi i funeralit, m’u duk sikur m’u shkëput një rrënjë e madhe. E ke parasysh kur shkul një pemë dhe e shkul me gjithë rrënjë? Të lë një boshllëk. Që atë ditë jam me një organ më pak në jetën time”, tha në studion e “Takohemi n’Vizion” Erand Sojli.
Sojli foli edhe për marrëdhënien me fëmijët, duke e përkufizuar veten si një baba tolerant.
“E përkufizoj veten si një baba tolerant, jo i rreptë. Një baba që nuk i është dashur shumë herë të tregojë dhe të përballë prindërimin e vet. Por atëherë kur më është dashur, e kam bërë me vetmohimin më të madh”, tha ai.
I pyetur nga moderatorja Fjodora Fjora nëse pas divorcit dëshiron të nisë një lidhje të re, Sojli u përgjigj: “Pse jo? Mua më pëlqen familja. Të kesh folenë, të vesh në shtëpi e ta gjesh dritën hapur.”



