“Nuk e di kush je, por hallall qumështi i nënës”/ Bes Kallaku mbështet publikisht studenten protestuese (FOTO)

Aktori i njohur Bes Kallaku ka shprehur publikisht mbështetjen e tij për protestën e studentëve në Tiranë, duke shpërndarë në Instagram videon e një vajze që ka tërhequr vëmendjen me deklaratat e saj për realitetin ekonomik në Shqipëri.
Në videon e publikuar nga aktori, e reja shfaqet e emocionuar, teksa flet për vështirësitë me të cilat përballen qytetarët dhe për kontrastin mes jetesës së njerëzve të zakonshëm dhe pasurisë së politikanëve.
Ajo vë përballë dy realitete të ndryshme: nga njëra anë, politikanë që zotërojnë pasuri me vlerë miliona euro dhe, nga ana tjetër, qytetarë që duhet të përballojnë shpenzimet e përditshme me paga prej rreth 500 eurosh, të cilat shpesh nuk mjaftojnë as për qiranë e banesës.
Fjalët e saj, të shoqëruara me emocione të forta dhe lot në sy, kanë marrë edhe vëmendjen e Bes Kallakut, i cili ka zgjedhur ta ndajë videon me ndjekësit e tij.
“Nuk e di kush je, por hallall qumështi i nënës”, ka shkruar aktori krahas videos, duke e shoqëruar mesazhin me simbole mbështetjeje.

Përmes këtij reagimi, Kallaku ka vlerësuar qëndrimin e vajzës dhe shqetësimet që ajo ngriti publikisht, duke iu bashkuar kështu zërave që kanë shprehur mbështetje për studentët dhe kërkesat e tyre gjatë protestave në kryeqytet.



