Policia i mori atë që na e jep vetëm Zoti/ Bes Kallaku rrëqeth me shkrimin për 28-vjeçarin

Aktori i njohur Bes Kallaku ka reaguar me një mesazh prekës në rrjetet sociale pas lajmit për plagosjen e rëndë të 28-vjeçarit Erjon Vishkulli gjatë protestës së studentëve në Tiranë.
Përmes një postimi në Instagram, Kallaku ka publikuar një fotografi të të riut, të cilin e cilëson mikun e tij, duke treguar se është thellësisht i prekur nga ajo që i ka ndodhur.
“Erioni është miku im, një ndër djemtë më të mirë që kam njohur! Nuk ka dalë në protestë se i mungon diçka, por ka dalë për vlerat patriotike që ka, për mangësitë e këtij vendi që të gjithë ne kemi 30 vjet që i shohim”, shkruan aktori.

Në vijim, Kallaku bën një deklaratë të rëndë për gjendjen e 28-vjeçarit, duke pretenduar se ai është goditur në sy me plumb gome gjatë protestës.
“SOT ËSHTË QËLLUAR ME PLUMB GOME NË SY DHE NDODHET NË GJENDJE TË RËNDË!”, shkruan ai, duke e mbyllur postimin me një mesazh solidariteti për mikun e tij.
Reagimi vjen pas raportimeve se Erjon Vishkulli ka pësuar një dëmtim serioz në syrin e majtë gjatë protestës së zhvilluar të shtunën në kryeqytet.
Gazetari Flavio Qarri ka raportuar se 28-vjeçari ka humbur shikimin në syrin e dëmtuar, ndërsa dyshohet se plagosja është shkaktuar nga një plumb gome i përdorur nga policia.
Sipas raportimeve, Vishkulli është dërguar në Spitalin e Traumës, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Për gjendjen e tij ka reaguar edhe gazetari Marin Mema, i cili i ka kushtuar një mesazh mbështetës: “Erjon, miku im, ata që të njohin nga afër ta dinë zemrën dhe dashurinë për Kombin! Lutem për ty!”



