Kalo te përmbajtja / Skip to content
Shqipëri

Befason vajza e Azem Hajdarit: Unë do të ulesha e para me Edi Ramën, s’do e humbja këtë mundësi

AutoktonPublikuar më 22.10.2026Përditësuar më 22.10.2026Lexim prej 1 minutash

Vajza e një prej figurave simbol të Lëvizjes së Dhjetorit ’90, Azem Hajdarit, ish-deputetja demokrate Rudina Hajdari, ka reaguar lidhur me protestat studentore, duke u bërë një thirrje të drejtpërdrejtë të rinjve që të mos e refuzojnë dialogun me kryeministrin Edi Rama.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hajdari ka rikthyer në vëmendje një moment historik të dhjetorit 1990, duke publikuar një fotografi të babait të saj, Azem Hajdarit, së bashku me studentë të tjerë, gjatë takimit me ish-udhëheqësin komunist Ramiz Alia.

Duke sjellë si shembull përballjen e të atit me drejtuesin e regjimit komunist në një prej momenteve vendimtare për pluralizmin politik në Shqipëri, ish-deputetja thekson se dialogu nuk duhet parë si dorëzim, por si një mundësi për të mbrojtur kërkesat dhe për të arritur rezultate konkrete.

Reklamë

“Uluni në dialog, por me transparencë, jo pas dyerve të mbyllura. Mos i humbni këto mundësi!”, shkruan Hajdari.

Ajo shkon edhe më tej, duke deklaruar se personalisht nuk do të hezitonte të ulej përballë kryeministrit Edi Rama, pasi, sipas saj, studentët kanë argumente të forta për të mbrojtur kauzën e tyre.

“Unë do të ulesha e para në ato karrige dhe do të përballesha drejtpërdrejt me Ramën.

Ai nuk ka si të mbrohet përballë argumenteve tuaja. I keni të gjitha argumentet për të arritur maksimumin e kërkesave tuaja”, shprehet ajo.

Në fund të reagimit, vajza e Azem Hajdarit përcjell edhe një paralajmërim për studentët, duke u kërkuar të mos lejojnë që të tjerë të marrin përsipër negociatat në emër të tyre.

“Nëse nuk uleni ju, dikush tjetër do ta bëjë dialogun në kurrizin tuaj. Shumica fërkojnë duart natën për një llokmë dhe bëjnë sikur u qan zemra ditën”, përfundon Hajdari.

Artikuj të ngjashëm

Reklamë