I riu që u gjet pa shenja jete në makinë ishte shofer i këtij deputeti

Detaje të reja janë bërë të ditura lidhur me ngjarjen e rëndë të regjistruar mbrëmjen e së martës në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, ku 46-vjeçari Ismet Habili u gjet pa shenja jete brenda një automjeti.
Sipas informacioneve të raportuara, Habili punonte prej kohësh si shofer i deputetit të Partisë Socialiste, Eduart Shalsi.
Ngjarja ngriti fillimisht dyshime për një atentat të mundshëm, por të dhënat paraprake të hetimit e kanë orientuar policinë drejt pistës së vetëv**sjes.
Brenda automjetit ku u gjet trupi i 46-vjeçarit është konstatuar edhe një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në ngjarje.
Sipas të dhënave të raportuara nga hetimet paraprake, ekspertiza mjeko-ligjore ka konstatuar një plagë të shkaktuar nga arma e zjarrit në zonën e kokës. Megjithatë, rrethanat e plota të vdekjes mbeten objekt hetimi.
Mësohet se Ismet Habili ishte me origjinë nga Kavaja dhe nuk rezultonte me precedentë të mëparshëm penalë.
Grupi hetimor po vijon veprimet për të sqaruar dinamikën e ngjarjes, si dhe shkaqet që mund të kenë çuar në humbjen e jetës së 46-vjeçarit.
Për momentin, pista e vetëvrasjes mbetet një dyshim hetimor dhe jo një përfundim zyrtar përfundimtar. Nuk ka të dhëna që e lidhin ngjarjen me detyrën e Habilit si shofer i deputetit Eduart Shalsi.
Artikuj të ngjashëm



