Kalo te përmbajtja / Skip to content
Shqipëri

Kush është “Gjenerali” që Trump dërgoi në Tiranë: Green Beret, 56 vende, luftë me kartelet e mbështetje për SPAK

AutoktonPublikuar më 27.9.2026Përditësuar më 27.9.2026Lexim prej 6 minutash

Në Tiranë nuk ka mbërritur një ambasador amerikan me profilin klasik të diplomatit. Donald Trump ka dërguar në Shqipëri një ish-gjeneral me tre yje, Green Beret, veteran operacionesh luftarake, ish-komandant të Operacioneve Speciale të NATO-s dhe një njeri që e njeh Shqipërinë dhe ushtarakët shqiptarë që përpara se të merrte çelësat e ambasadës amerikane. Ai quhet Eric P. Wendt dhe prej 26 shtatorit është zyrtarisht ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.

Wendt i dorëzoi letrat kredenciale Presidentit Bajram Begaj, duke nisur një mandat që, nisur nga deklaratat e tij para Senatit amerikan, do të ketë në qendër sigurinë, krimin e organizuar, trafikun ndërkombëtar të drogës, korrupsionin, mbrojtjen, SPAK-un dhe interesat ekonomike amerikane. Por kush është njeriu që Trump zgjodhi për Tiranën? Wendt ka kaluar 34 vjet e gjysmë në ushtrinë amerikane. Rreth 30 prej tyre i ka kaluar në Forcat Speciale të Ushtrisë së SHBA-së, të njohura si Green Berets.

Nuk bëhet fjalë vetëm për një ushtarak që ka punuar në zyra. Gjatë karrierës së tij ka shërbyer në 56 vende, ndërsa për rreth 13 vjet ka mbajtur poste komanduese në nivele taktike, operative dhe strategjike. Pas sulmeve të 11 shtatorit, Wendt u përfshi në disa prej teatrove më të rëndësishëm të operacioneve amerikane. Ai shërbeu në Indonezi, në operacionet amerikane në Filipinet jugore, zhvilloi dy turne në Irak dhe shërbeu gjithashtu në Afganistan.

Në Afganistan mori një detyrë të rëndësishme: ishte zëvendëskomandant i një strukture rajonale të ISAF-it me rreth 13,500 ushtarakë nga 17 vende. Dhe pikërisht këtu del edhe një detaj interesant për Shqipërinë. Nën strukturën ku shërbente Wendt kishte edhe ushtarakë shqiptarë. Më vonë lidhja e tij me Shqipërinë u bë edhe më direkte.

Nga viti 2019 deri në vitin 2021, Wendt drejtoi NATO Special Operations Headquarters, një nga strukturat kryesore të Aleancës për operacionet speciale. Në komandën e tij përfshiheshin edhe forcat shqiptare të Operacioneve Speciale. Pra, ambasadori i ri amerikan nuk po e njeh Shqipërinë për herë të parë nga zyra e ambasadës në Tiranë. Ai ka punuar më parë me ushtarakë shqiptarë dhe me drejtues të mbrojtjes. Madje, kur doli para Senatit amerikan, Wendt përdori edhe figurën e Skënderbeut për të përshkruar ushtarakët shqiptarë.

Sipas tij, forcat speciale shqiptare mishërojnë “shpirtin luftarak” të Skënderbeut. Por karriera e Wendt nuk ndalet te ushtria. Ai ka qenë këshilltar i afërt ushtarak në nivelet më të larta të Pentagonit, duke shërbyer si Principal Military Assistant për sekretarët amerikanë të Mbrojtjes Robert Gates dhe Leon Panetta.

Nga viti 2017 deri më 2019 kaloi nga operacionet ushtarake në një prej dosjeve më të ndërlikuara diplomatike në botë. Wendt u bë U.S. Security Coordinator for Israel and the Palestinian Authority, duke drejtuar një koalicion prej tetë shtetesh. Punonte brenda strukturës së Ambasadës amerikane në Jerusalem dhe raportonte drejtpërdrejt te Sekretari amerikan i Shtetit.

Ai flet arabisht dhe koreanisht, ka drejtuar operacione në Azi, Lindjen e Mesme dhe Evropë dhe është dekoruar me disa prej medaljeve të rëndësishme të ushtrisë amerikane. Mes tyre janë Defense Distinguished Service Medal, dy Army Distinguished Service Medals, dy Defense Superior Service Medals, Legion of Merit dhe tri Bronze Star Medals.

Ka gjithashtu Ranger Tab, Special Forces Tab, Master Parachutist Badge, Combat Infantryman Badge dhe dekoratën gjermane Gold Cross of Honor për shërbimin luftarak në Afganistan. Në vitin 2023 u përfshi në Hall of Fame të Defense Language Institute. Edhe familja e tij ka lidhje të forta me ushtrinë amerikane. Djali i tij shërben si oficer dhe parashutist në 82nd Airborne Division, ndërsa dhëndri i tij është kapiten në Forcat Ajrore të SHBA-së.

Por pjesa më interesante për Shqipërinë është ajo që Wendt tha përpara se të vinte në Tiranë. Në dëgjesën para Senatit, ai e vendosi luftën kundër krimit ndërkombëtar ndër prioritetet kryesore. Dhe ishte shumë specifik. Wendt foli për krimin e organizuar transnacional dhe trafikun e drogës të lidhur me kartelet e Amerikës Latine.

Mesazhi i tij ishte se këto nuk janë probleme që mbeten vetëm brenda Shqipërisë. Sipas tij, janë sfida që arrijnë deri në Shtetet e Bashkuara. Kjo është ndoshta një nga deklaratat më domethënëse për të kuptuar mandatin që ai nis në Tiranë. Një ish-komandant i Operacioneve Speciale vjen në Shqipëri në një moment kur grupet kriminale shqiptare janë pjesë e hetimeve ndërkombëtare për trafikun e kokainës nga Amerika Latine drejt Evropës.

Në axhendën e tij është edhe SPAK-u. I pyetur në Senat për institucionin që është mbështetur fuqishëm nga SHBA-ja, Wendt e përshkroi SPAK-un si një strukturë “shumë të vlefshme dhe të pavarur”. Ai deklaroi se SPAK do të ketë mbështetjen e tij, ndërsa rëndësi të veçantë i dha ruajtjes së pavarësisë së institucionit dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por mandati i tij nuk do të jetë vetëm drejtësi dhe siguri. Wendt ka vendosur në tavolinë edhe një tjetër çështje: paratë dhe investimet amerikane.

Ai ka përmendur energjinë, infrastrukturën, minierat dhe Inteligjencën Artificiale si sektorë ku mund të rritet prania amerikane. Por ka vendosur edhe një kusht të qartë: bizneset amerikane duhet të trajtohen në mënyrë të drejtë, transparente dhe me kushte të barabarta ligjore dhe kontraktuale. Siguria kibernetike është një tjetër pikë e mandatit të tij, së bashku me forcimin e bashkëpunimit ushtarak SHBA-Shqipëri dhe rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes.

Edhe mënyra se si Trump e ka zgjedhur Wendt është interesante. Ky nuk është nominimi i parë i tij për ambasador. Në vitin 2020, gjatë mandatit të parë të Donald Trump, Wendt ishte përzgjedhur për t’u bërë ambasador amerikan në Katar. Kandidatura nuk arriti të finalizohej përpara përfundimit të administratës së parë Trump.

Gjashtë vjet më vonë, Trump e riktheu. Por këtë herë jo për Katarin. Për Shqipërinë. Wendt u nominua më 13 prill 2026. Kandidatura e tij mori fillimisht një mbështetje të fortë në Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, me 19 vota pro dhe vetëm 3 kundër, përpara se të kalonte procesin e konfirmimit.

Tani ai është në Tiranë. Dhe sinjali i parë zyrtar erdhi menjëherë pas dorëzimit të kredencialeve te Presidenti Begaj: mbrojtja, rritja ekonomike dhe lufta kundër organizatave kriminale transnacionale janë ndër prioritetet e administratës Trump që pritet të avancohen në Shqipëri. Pra, pas afro tre vitesh pa një ambasador të konfirmuar në krye të përfaqësisë amerikane, Washingtoni nuk dërgoi në Tiranë një diplomat tradicional.

Dërgoi një Green Beret. Një gjeneral që ka komanduar Forcat Speciale të NATO-s, ka shërbyer në Irak dhe Afganistan, ka punuar me izraelitët dhe palestinezët, njeh trupat shqiptare, flet arabisht dhe koreanisht dhe që, përpara se të mbërrinte në Shqipëri, përmendi publikisht një problem shumë konkret: krimin shqiptar, trafikun e drogës dhe lidhjet me kartelet e Amerikës Latine.

Kjo pritet të jetë një nga dosjet më të forta mbi tavolinën e ambasadorit të ri amerikan në Tiranë.

Artikuj të ngjashëm