Nëna shqiptare sjell në jetë foshnjën, ja përse spitali e quan një rast të jashtëzakonshëm

Një lindje e pazakontë është regjistruar në Sassuolo të Italisë, ku një grua shqiptare 34-vjeçare ka sjellë në jetë një foshnjë me peshë 5.6 kilogramë, përmes një lindjeje natyrale.
Ngjarja ka ndodhur më 6 tetor në spitalin e Sassuolos, ndërsa i porsalinduri, i cili është fëmija i tretë i familjes, ka marrë emrin e veçantë Everest.
Rasti ka tërhequr vëmendjen edhe të personelit mjekësor, pasi pesha e foshnjës është dukshëm më e lartë se ajo që regjistrohet zakonisht te të porsalindurit.

Vetë spitali e ka cilësuar lindjen si të pazakontë dhe ka ndarë lajmin publikisht, duke publikuar edhe fotografi të vogëlushit së bashku me maminë, nënën dhe ekipin e repartit gjinekologjik.
Të dy prindërit janë me origjinë shqiptare dhe jetojnë në Vignola, një qytet në provincën e Modenës. Ata janë bërë prindër për herë të tretë, duke mirëpritur në familjen e tyre vogëlushin Everest.
Përveç peshës së konsiderueshme të foshnjës, ajo që e bën edhe më të veçantë këtë rast është fakti se lindja është realizuar në mënyrë natyrale, pa ndërhyrje cezariane.
Lajmi është pasqyruar edhe në mediat italiane, ndërsa fotografitë e publikuara nga spitali kanë shoqëruar njoftimin për ardhjen në jetë të vogëlushit me origjinë shqiptare.



