Rama zbulon çfarë do të bëjë kur të mos jetë më kryeministër

Kryeministri Edi Rama ka zbuluar një nga vendimet që synon të marrë pasi të përfundojë detyrën në krye të qeverisë shqiptare. Bëhet fjalë për shkëputjen nga rrjetet sociale, të cilat prej vitesh janë një nga kanalet kryesore të komunikimit të tij me publikun.
Deklarata u bë gjatë podcastit të tij të përjavshëm, të transmetuar këtë të diel, më 11 tetor, ku të ftuar ishin dy sipërmarrës shqiptarë që, pas disa vitesh pune jashtë vendit, janë kthyer për të investuar në Shqipëri.
Gjatë bisedës, njëri prej të ftuarve, i cili zhvillon aktivitetin e tij në sektorin e turizmit në Malësinë e Madhe, tregoi se nuk është përdorues i rregullt i internetit dhe rrjeteve sociale.
Sipërmarrësi shpjegoi se biznesi i tij është promovuar kryesisht përmes rekomandimeve të vizitorëve, të cilët ndajnë përvojat e tyre me të tjerët, megjithëse së fundmi ka nisur t’i kushtojë më shumë vëmendje edhe promovimit online.
Kjo deklaratë solli një reagim nga Rama, i cili pranoi se e kishte zili sipërmarrësin për qetësinë që, sipas tij, sjell qëndrimi larg rrjeteve sociale.
“E di sesa rehat je nga trutë e kokës, kur nuk ke rrjete sociale. Je shumë rehat, të kam shumë zili”, u shpreh kryeministri.
Më pas, Rama tregoi se ka menduar edhe për mënyrën se si do ta ndryshojë përditshmërinë e tij kur të mos mbajë më postin e kryeministrit.
“Një nga gjërat që unë do të bëj kur të mos jem kryeministër, do jem ‘stop’ me rrjetet sociale”, deklaroi ai.
Kryeministri nuk dha një afat kohor për këtë vendim, duke e lidhur atë vetëm me përfundimin e detyrës së tij qeveritare.
Artikuj të ngjashëm

Dalin statistikat, ja për cilat vese shpenzojnë më shumë familjet shqiptare


