Dalin statistikat, ja për cilat vese shpenzojnë më shumë familjet shqiptare

Familjet shqiptare po shpenzojnë gjithnjë e më shumë për alkool dhe duhan, ndërsa pesha e këtyre produkteve në buxhetin familjar është rritur edhe gjatë vitit 2025.
Sipas të dhënave të INSTAT, shpenzimet për pije alkoolike dhe produkte duhani përbënin 4.3% të shpenzimeve mesatare mujore të familjeve shqiptare, nga 4.2% që ishte kjo përqindje në vitin 2024.
Duke marrë parasysh se një familje shqiptare shpenzon mesatarisht 95,227 lekë në muaj, rezulton se rreth 4,100 lekë shkojnë vetëm për alkool dhe duhan. Në një vit, kjo shumë arrin afërsisht 49 mijë lekë, pothuajse sa një pagë minimale mujore.
Ajo që bie në sy është ritmi i rritjes së këtyre shpenzimeve. Gjatë vitit 2025, shpenzimet për alkool dhe duhan u rritën me 5.1%, më shumë se dyfishi i rritjes së përgjithshme të shpenzimeve familjare, e cila ishte 2.3%.
Krahasimi me kategoritë e tjera nxjerr në pah një tjetër fakt. Familjet shqiptare ndajnë një pjesë më të madhe të buxhetit për alkool dhe duhan sesa për shëndetësinë, e cila zë 3.4%, arsimin me 3.3%, komunikimin me 3.7%, apo argëtimin dhe kulturën me 2.8%.
Në shkallë kombëtare, shifrat janë edhe më të mëdha. Nga rreth 72.3 miliardë lekë që shpenzohen çdo muaj për konsum nga familjet shqiptare, përllogaritet se afërsisht 3.1 miliardë lekë përdoren për blerjen e alkoolit dhe duhanit.
Kjo përkthehet në rreth 37 miliardë lekë në vit, një shumë e konsiderueshme që shkon për vetëm dy kategori produktesh.
Megjithatë, këto vlera janë përllogaritje të bazuara në statistikat e INSTAT dhe jo shifra të publikuara drejtpërdrejt nga institucioni.
Gjithashtu, të dhënat përfshijnë pijet alkoolike dhe produktet e duhanit të blera për konsum në shtëpi, ndërsa shpenzimet në bare dhe restorante regjistrohen në një kategori tjetër. Për këtë arsye, shuma reale që shqiptarët shpenzojnë për këto produkte mund të jetë edhe më e lartë.
Të dhënat tregojnë se alkooli dhe duhani po zënë një pjesë në rritje të buxhetit familjar, në një kohë kur shpenzimet për disa shërbime bazë mbeten në nivele më të ulëta.



