Reagon kryeministri Rama, ajo që thotë revolton edhe më shumë studentët

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas protestave të studentëve në Tiranë, të cilat janë shoqëruar me tensione, përplasje me policinë dhe dëmtime të pronës.
Nga godina e dëmtuar nga zjarri e Kolegjit të Evropës, kreu i qeverisë e cilësoi situatën të vështirë, ndërsa dënoi aktet e dhunës dhe paralajmëroi se personat përgjegjës do të përballen me ligjin.
“Janë orë të vështira”, u shpreh Rama, duke shtuar: “Secili që ka bërë këtë katrahurë, do të paguajë”.
Kryeministri deklaroi se djegia e godinës nuk ishte vepër e studentëve, ndërsa akuzoi opozitën se po përpiqet ta shfrytëzojë situatën politikisht. Ai përsëriti gjithashtu angazhimin e qeverisë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe i ftoi studentët në dialog.
Ndërkohë, situata në kryeqytet ka vijuar të jetë e tensionuar edhe gjatë ditës së dytë të protestës, e cila nisi përpara Ministrisë së Arsimit.
Sipas raportimeve, gjatë mbrëmjes së të mërkurës, policia ka ndërhyrë në disa zona të Tiranës, duke shoqëruar persona të dyshuar për përfshirje në incidente.
Në zonën e “21 Dhjetorit” raportohet se janë shoqëruar tre persona, pas tensioneve dhe hedhjes së gurëve. Ndërhyrje të policisë janë regjistruar edhe pranë Rrugës së Elbasanit, ndërsa një pjesë e protestuesve janë rikthyer përpara Kryeministrisë.
Sipas informacioneve të raportuara deri në ato momente, në Komisariatin Nr. 1 në Tiranë ishin shoqëruar rreth 70 persona. Nuk është ende e qartë se sa prej tyre janë proceduar penalisht apo janë lënë të lirë pas verifikimeve.



