Kalo te përmbajtja / Skip to content
Shqipëri

Rikthehet Saimir Tahiri dhe bën paralajmërimin e fortë në mesin e skandaleve

AutoktonPublikuar më 26.9.2026Përditësuar më 26.9.2026Lexim prej 1 minutash

Pas një periudhe të gjatë me dalje të kufizuara publike, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka paralajmëruar një rikthim, këtë herë përmes një projekti multimedial që po përgatitet në bashkëpunim me median “Zëri”.

Projekti pritet të sjellë rrëfimin e Tahirit për periudhën e tij në politikë dhe ngjarjet që shoqëruan largimin e tij nga skena publike. Krahas tij, parashikohet të ketë dëshmi nga persona të tjerë dhe materiale që lidhen me episodet e asaj kohe.

Vetë ish-ministri ka zgjedhur vetëm pak fjalë për të paralajmëruar atë që po përgatitet.

“Disa histori i kam jetuar. Disa të tjera i kam dëgjuar të tregohen për mua. Do shihemi së shpejti. Ka kaq shumë për të thënë”, është mesazhi i Tahirit.

Rikthimi i tij në vëmendjen publike vjen ndërsa çështja penale ndaj tij vijon në Gjykatën e Lartë. Në janar të këtij viti, Genti Shala u caktua relator i çështjes, pas dorëheqjes së gjyqtarit Sokol Binaj. SPAK ka kundërshtuar dënimin e Tahirit vetëm për shpërdorim detyre dhe kërkon dënimin e tij edhe për trafik narkotikësh dhe grup të strukturuar kriminal, ndërsa vetë Tahiri kërkon pafajësi.

Tahiri ishte dënuar me 3 vjet e 4 muaj burg për shpërdorim detyre, ndërsa më pas u lirua para përfundimit të plotë të dënimit për shkak të rrethanave familjare.

Dalja e tij e re vjen gjithashtu në një periudhë me zhvillime të shumta politike dhe hetime që kanë përfshirë zyrtarë e ish-zyrtarë të mazhorancës. Megjithatë, nga paralajmërimi i publikuar nuk bëhet e qartë se cilat ngjarje apo persona do të jenë konkretisht pjesë e rrëfimit të tij.

Pikërisht kjo mbetet edhe pikëpyetja kryesore e projektit: çfarë ka vendosur të tregojë Saimir Tahiri pas viteve të tëra larg qendrës së debatit publik?

Artikuj të ngjashëm