Merret vendimi për Xhakën dhe Embolon, ja çfarë vendosi federata zvicerane

Granit Xhaka dhe Breel Embolo rikthehen në nëntor në kombëtaren e Zvicrës.
Këtë e ka bërë të ditur të martën Federata Zvicerane e Futbollit (SFV).
Sipas mediumit zviceran “Blick”, në grumbullimin e fundit të kombëtares zvicerane, si Granit Xhaka ashtu edhe Breel Embolo munguan në listën e lojtarëve të ftuar.
Në të dyja rastet, çështjet e lidhura me COVID-19 ishin arsyeja kryesore e mungesës.
Gjatë pandemisë së koronavirusit, Xhaka kishte falsifikuar certifikatën e vaksinimit, ndërsa Embolo kishte blerë certifikata të falsifikuara të testeve.
Xhaka në fillim të muajit u dënua me kusht nga Prokuroria Publike e Luzernit për falsifikim të certifikatës për COVID-19.
Ai mori gjobë me kusht në total prej 150 mijë frangash.
“Ne e shqyrtuam këtë çështje nga perspektiva të ndryshme. Rrethanat specifike të të dyja rasteve, procedurat ligjore të përfunduara dhe pasojat sportive që kanë ndodhur tashmë, të gjitha morën pjesë në vendim.
Jemi të bindur se një rikthim në ekipin kombëtar në nëntor është i përgjegjshëm dhe gjëja e duhur për t’u bërë”, ka thënë drejtori i ekipit kombëtar Pierluigi Tami për faqen e Federatës Zvicerane të Futbollit.
Xhaka mbetet kapiten
Përveç rikthimit të dy futbollistëve, në diskutim ishte edhe çështja e kapitenit Granit Xhaka. Edhe për këtë pikë, federata ka dhënë një përgjigje të qartë: Xhaka do të vazhdojë të jetë kapiten i kombëtares së Zvicrës.
Për kthimin e Xhakës dhe Embolos ka folur edhe përzgjedhësi Murat Yakin.
“Jam i lumtur që mund të zgjedh përsëri lojtarë pa kufizime për skuadrën në nëntor”, ka thënë Yakin.
Trajneri Murat Yakin do ta bëjë publike listën e lojtarëve të ftuar të enjten, më 5 nëntor, për dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve kundër Sllovenisë dhe Skocisë.
Artikuj të ngjashëm



