TaIenti i Bayern Munchen zgjedh Kosovën, ambasadori ia dorëzon pasaportën tonë

Talenti i Bayern Munchenit, Erblin Osmani, ka vendosur që në të ardhmen ta përfaqësojë Kosovën. Lajmin e ka bërë të ditur ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.
Ajeti njoftoi përmes një postimi në rrjetet sociale se ia ka dorëzuar Osmanit pasaportën e Republikës së Kosovës, ndërsa konfirmoi edhe vendimin e futbollistit për të luajtur me fanellën e Kosovës.
Ambasadori e cilësoi si nder të veçantë dorëzimin e pasaportës për talentin e Bayernit dhe shprehu pritjen që Osmani së shpejti të shihet me fanellën e “Dardanëve”.
Ai falënderoi gjithashtu presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, dhe FFK-në për angazhimin në këtë proces.
Osmani është 17 vjeç dhe tashmë ka arritur të debutojë me ekipin e parë të Bayern Munchenit. Mesfushori më herët ka përfaqësuar Gjermaninë në grupmoshat U16 dhe U17.




