Trajneri serb e la Xherdan Shaqirin në bankë! Ja arsyeja

Xherdan Shaqiri u aktivizua vetëm në dhjetë minutat e fundit të ndeshjes kundër Stade Nyonnais, por prania e tij ndihmoi që Baseli ta qetësonte lojën në minutat e fundit.
Baseli triumfoi me rezultat 3:0 ndaj Nyonit, duke siguruar kualifikimin në të tetën e finales së Kupës së Zvicrës.
Por, cila ishte arsyeja që trajneri serb i Baselit, Sllavisha Jokanoviq, vendosi ta linte kapitenin Shaqiri në bankën e rezervistëve?
“Trajneri Sllavisha Jokanoviq kishte paralajmëruar një ditë më parë se do të paraqitej me skuadrën më të mirë të mundshme.
Megjithatë, në ndeshjen kundër Nyonit, emri i Xherdan Shaqirit mungonte në formacionin titullar. kapiteni i Baselit, i cili po përballet sërish me shqetësime të lehta në kofshë, e nisi ndeshjen nga banka e rezervistëve.
Në mesfushë, Jokanoviqi vendosi Omeragiqin dhe Metinhon, ndërsa në sulm aktivizoi dyshen Çelar dhe Koloto.”, ka shkruar media zvicerane “Blick”.
Sipas këtij mediumit, ndryshe nga humbja 0:3 kundër Vaduzit, këtë herë Baseli tregoi më shumë angazhim, por loja e tij vazhdoi të ishte larg nivelit të pritur.
Gabimet e shumta gjatë ndërtimit të aksioneve e vështirësuan paraqitjen e skuadrës nga Baseli. Megjithatë, Stade Nyonnais nuk arriti t’i shfrytëzonte këto gabime, për shkak të mungesës së cilësisë në lojën sulmuese.
Pas pushimit, Stade Nyonnais pati mundësinë për ta bërë ndeshjen më interesante. Migeli goditi shtyllën nga afërsia, ndërsa më pas portieri i Baselit, Jonas Omlin, ndërhyri disa herë me sukses, duke bërë që skuadra e tij të mos pësonte gol për herë të parë që nga muaji korrik.
“Futja e Xherdan Shaqirit në lojë solli më shumë qetësi në paraqitjen e Baselit. Megjithatë, kapiteni nuk pati rol të drejtpërdrejtë në golin e tretë të shënuar nga Malouda, i cili ishte futur në lojë si zëvendësues”, ka shkruar media zvicerane.
Edhe goli i tretë erdhi pas një tjetër gabimi të vendasve, skuadër që po kalon një periudhë të vështirë.



