Zbulohen 19 site të reja arkeologjike në vend, pas më shumë se 25 vitesh rikthehen gërmime në Lushnje, zbulime në Zgjanë dhe Murrizë-Peqin

Nga Julia Vrapi
Site të reja arkeologjike janë zbuluar në zona të ndryshme të vendit, ndërsa pas më shumë se 25 vitesh janë rikthyer gërmimet arkeologjike në Lushnjë. Kërkimet në terren kanë sjellë zbulime në zonat e Zgjanës dhe Murrizë-Peqin. Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja, ka publikuar të dhënat mbi aktivitetin e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore gjatë 7-mujorit të vitit 2026.
Sipas të dhënave të bëra publike, gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar projekte restaurimi, konservimi dhe ndërhyrje arkeologjike në zona të ndryshme të territorit. Ministri i Kulturës shprehet për një rritje të aktivitetit . “7 muaj me rritje të ndjeshme të aktivitetit dhe shërbimeve të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK)! Më shumë investime, projekte dhe prani në terren për mbrojtjen, dokumentimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore. Rritje e të ardhurave dhe investimeve në pasuritë kulturore.
Më shumë projekte restaurimi, konservimi dhe ndërhyrje arkeologjike. 19 site të reja arkeologjike të zbuluara në zona të ndryshme të territorit. Pas më shumë se 25 vitesh, rikthehen gërmimet arkeologjike në Lushnjë, me zbulime të rëndësishme në Zgjanë dhe Murrizë-Peqin”, thotë ministri Gonxhja. Në kuadër të këtyre kërkimeve, specialistët e IKTK-së, në bashkëpunim me Departamentin e Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, zbuluan këtë vit një sit të ri arkeologjik në fshatin Zgjanë.
Gërmimet nxorën në dritë gjurmët e një kompleksi termal të periudhës romake dhe ambienteve të lidhura me të, duke e bërë atë një nga zbulimet më të rëndësishme arkeologjike në zonën e Lushnjës në dekadat e fundit. Ndërkohë, në Kodrën e Pusit, në fshatin Murriz-Peqin, u zbulua një vendbanim i lashtë ilir, duke shtuar të dhënat mbi trashëgiminë arkeologjike të kësaj zone.
Projektet në trashëgiminë kulturore
Në raportimin e saj për 7-mujorin, IKTK ka paraqitur edhe të dhëna mbi punën për mbrojtjen, dokumentimin dhe administrimin e trashëgimisë kulturore. Gonxhja thekson gjithashtu angazhimin e IKTK-së për reduktimin e burokracive dhe vonesave, si dhe për studimin e trashëgimisë kulturore në të gjithë territorin. “Rezultate konkrete që tregojnë një angazhim të shtuar të IKTK-së për eliminimin e burokracive e vonesave për qytetarët dhe subjektet, studimin e trashëgimisë kulturore në të gjithë territorin dhe koordinimin sektorial”, vijon Gonxhja në reagimin e tij.
IKTK ka raportuar gjithashtu rritje të projekteve të konservimit, restaurimit, sondazheve, vëzhgimeve dhe gërmimeve arkeologjike. Krahasuar me vitin 2024, këto projekte janë rritur me 182%, ndërsa në raport me vitin 2025 rritja është 72%.
Në aspektin e investimeve në objekte të pasurive kulturore, institucioni raporton një rritje prej 400% krahasuar me vitin 2024 dhe 67% krahasuar me vitin 2025. Të ardhurat e akumuluara nga shërbimet e IKTK-së janë rritur me 137% krahasuar me vitin 2024 dhe me 108% krahasuar me vitin 2025. Gjatë vitit 2026 janë miratuar gjithashtu 7 akte nënligjore në fushën e trashëgimisë kulturore materiale, 17% më shumë krahasuar me vitin 2025.
Megjithatë, mirëmbajtja dhe ruajtja e pasurive kulturore kërkojnë vëmendje të vazhdueshme. Ekspertët e trashëgimisë kulturore kanë ngritur herë pas here shqetësimin për nevojën e ndërhyrjeve në kohë dhe mirëmbajtjes së vazhdueshme të monumenteve dhe siteve historike.



