Kalo te përmbajtja / Skip to content
Diasporë

FOTO/ Shqiptarët protestojnë para OKB-së në New York në mbështetje të krerëve të UÇK-së

AutoktonPublikuar më 23.9.2026Përditësuar më 25.9.2026Lexim prej 1 minutash

Komuniteti shqiptaro-amerikan u mblodh para selisë së Kombeve të Bashkuara në New York, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe kundër vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë.

Tubimi u organizua në Dag Hammarskjöld Plaza, vetëm pak metra nga selia e OKB-së në Manhattan, më 22 shtator, duke nisur nga ora 18:00. Protesta ishte thirrur nga pjesëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe ishte paralajmëruar si një tubim paqësor.

Në qendër të protestës ishin Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të dënuar më 16 shtator nga Dhomat e Specializuara në Hagë me 81 vite burg në total.

Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burg, Veseli me 18 dhe Selimi me 13 vjet. Gjykata i shpalli fajtorë për katër akuza për krime lufte, ndërsa i shpalli të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.

Organizatorët e protestës në New York kundërshtojnë vendimin dhe kërkojnë drejtësi për ish-drejtuesit e UÇK-së. Tubimi para OKB-së është pjesë e një vale protestash që ka përfshirë Kosovën dhe diasporën shqiptare pas shpalljes së vendimit.

Vetëm pak orë pas vendimit të 16 shtatorit, shqiptaro-amerikanët dolën gjithashtu në Times Square, në zemër të New Yorkut, me flamuj shqiptarë dhe të Kosovës dhe fotografitë e katër ish-krerëve të UÇK-së. Mesazhi i përcjellë nga pjesëmarrësit ishte mbështetja për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin dhe kundërshtimi i vendimit të Hagës.

Artikuj të ngjashëm