“Mos u marto kurrë me një shqiptare nga Zvicra”, videoja në TikTok nxit debat

Një video e publikuar në TikTok ka nxitur debat rreth shqiptarëve që jetojnë në Zvicër, pasi një përdorues u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve të tij në Gjermani dhe Austri që të mos martohen me gra shqiptare nga Zvicra.
TikToker-i i njohur si Akhzet u është drejtuar “vëllezërve shqiptarë”, duke deklaruar se ata që nuk jetojnë në Zvicër nuk duhet të kërkojnë partnere shqiptare nga ky shtet.
“Nëse nuk jetoni në Zvicër dhe doni të martoheni me një grua shqiptare nga Zvicra, mos e bëni”, ka thënë ai në video.
Ai ka pretenduar se një burrë shqiptar mund të gjejë një grua që të vijë për të jetuar në Zvicër, por se është shumë më e vështirë që një shqiptare që jeton atje të largohet për të jetuar në Gjermani apo Austri.
Mediumi zviceran Blick e ka trajtuar videon në kontekstin e stereotipeve që ekzistojnë rreth komunitetit shqiptar në Zvicër, i cili numëron rreth 300 mijë persona.
Sipas mediumit, shqiptarët që jetojnë në Zvicër përballen edhe me paragjykime nga bashkatdhetarët e tyre jashtë vendit, të lidhura ndër të tjera me standardin e lartë të jetesës.
Blick përmend se gjatë pushimeve verore shqiptarët nga Zvicra shpesh perceptohen si persona që ekspozojnë vetura të shtrenjta dhe mirëqenie financiare, duke krijuar kështu stereotipe brenda vetë diasporës.
Në artikull përmendet edhe një studim i Universitetit të Mynihut, sipas të cilit komuniteti shqiptar në Zvicër konsiderohet veçanërisht i lidhur mes vete. Një prej arsyeve është përqendrimi i madh i shqiptarëve në qendrat urbane, ndryshe nga Gjermania, ku komuniteti është më i shpërndarë.
Blick ngre mundësinë që kjo lidhje e fortë brenda komunitetit të jetë një nga arsyet pse gratë shqiptare që jetojnë në Zvicër perceptohen nga disa bashkatdhetarë jashtë vendit si më “të paarritshme”.
Megjithatë, mediumi thekson se deklaratat e TikToker-it mbeten përgjithësime dhe stereotipe, ndërsa të dhënat zyrtare zvicerane tregojnë se martesat mes personave me shtetësi të ndryshme janë të zakonshme.
Sipas Zyrës Federale të Statistikave të Zvicrës, afërsisht një në tre martesa në vend është mes personave me shtetësi të ndryshme. /Urgjent.com/
Përgatiti: Nazlie Jakupi
Artikuj të ngjashëm



Historia e familjes Durazzo në Xhenova/ Gjergj Durrësaku largohet më 1387
