Kalo te përmbajtja / Skip to content
Diasporë

Zvicër, vetëm 1,808 nga 60 mijë fëmijë shqipfolës ndjekin mësimin shqip

AutoktonPublikuar më 30.8.2026Përditësuar më 30.8.2026Lexim prej 2 minutash

Vetëm një pjesë shumë e vogël e fëmijëve shqipfolës që jetojnë në Zvicër ndjek mësimin plotësues në gjuhën shqipe.

Të dhënat e prezantuara në Konferencën për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe, të mbajtur më 29 gusht në Cyrih, tregojnë se nga rreth 55 deri në 60 mijë fëmijë shqipfolës në moshë shkollore, vetëm 1,808 janë të regjistruar në shkollën shqipe.

Kjo përbën rreth 3.3 për qind të fëmijëve, apo afërsisht vetëm një në çdo 30 fëmijë shqiptarë.

Në Zvicër vlerësohet se mbi 250 mijë persona flasin shqip në familje, ndërsa mësimi plotësues në gjuhën shqipe zhvillohet aktualisht në 17 kantone, me mbi 70 mësimdhënës dhe më shumë se 150 paralele.

Cyrihu ka numrin më të madh të nxënësve, me 697 të regjistruar, pasuar nga Aargau me 214, Gjeneva me 201, Vaud me 174 dhe Berna me 159.

Megjithatë, përqindjen më të lartë të pjesëmarrjes e ka Gjeneva, ku rreth 8.2 për qind e fëmijëve shqipfolës ndjekin mësimin shqip, apo afërsisht një në 12 fëmijë.

Në konferencë u diskutua se një nga arsyet e pjesëmarrjes së ulët është bindja e disa prindërve se komunikimi në shqip brenda familjes është i mjaftueshëm. Mësimdhënësit theksuan se të folurit në shtëpi nuk e zëvendëson mësimin e strukturuar të leximit dhe shkrimit.

Si pengesa të tjera u përmendën largësia nga pikat ku mbahet mësimi, angazhimet e fëmijëve në shkollën e rregullt dhe aktivitetet e tjera, si dhe mungesa e interesimit të një pjese të prindërve.

Synimi i prezantuar për vitin 2036 është që numri i nxënësve të rritet nga 1,808 në rreth 3,500, krahas bashkimit të strukturave shqiptare në nivel të Zvicrës dhe modernizimit të administrimit dhe mësimdhënies.

Mesazhi i konferencës për prindërit shqiptarë ishte i drejtpërdrejtë: “Regjistroni fëmijët. Angazhohuni”, me synimin që shqipja të vazhdojë të flitet, lexohet dhe shkruhet edhe nga brezat e rinj të lindur në Zvicër.

Burimi: /Urgjent.com/

Artikuj të ngjashëm