Alban Krasniqi e akuzon Daut Haradinajn për mercenarizëm: “Dauti e Samiu kanë me puthë tokën kur të arrestohen”

Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi, ka reaguar pas deklaratës së mbrëmshme të Daut Haradinajt nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, i cili tha se do të kishte gjakderdhje nëse Kuvendi nuk do t’i miratonte ndryshimet në ligjin për Gjykatën Speciale mbrëmjen e 6 tetorit.
Krasniqi, i cili është edhe bashkëshorti i kryeparlamentares Albulena Haxhiu, ka drejtuar akuza ndaj ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke ngritur pretendime për veprimtarinë e tij të pasluftës.
Në një postim në Facebook, ai ka përmendur ligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë, duke pretenduar se Haradinaj dhe persona të tjerë kanë vepruar në kundërshtim me ligjin dhe institucionet shtetërore.
“E krimi nuk vjetërohet e as nuk mbulohet nën kauzën e UÇK”, ka shkruar Krasniqi, duke vazhduar me kritika ndaj atyre që, sipas tij, kanë krijuar struktura paralele pas luftës.
Në reagimin e tij, Krasniqi ka përmendur edhe kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku, duke paralajmëruar se, sipas tij, të dy mund të përballen me arrestime për veprat që ai ua atribuon.
“Kur Dauti, Samiu etj. kanë me puthë tokën e Kosovës nga arrestimi”, ka shkruar ndër të tjera Krasniqi.



