Dalin 63 minatorët e bllokuar, Sadiku: Të gjithë janë mirë me shëndet

Të gjithë minatorët që kanë mbetur mbrëmë të bllokuar kanë dalë dhe janë mirë me shëndet.
Lajmin për Telegrafin e konfirmoi drejtori i Trepçës, Shyqyri Sadiku.
“Po, të gjithë minatorët e bllokuar kanë dalë dhe janë mirë me shëndet”, tha Sadiku për Telegrafin.
63 minatorë të Trepçës kishin mbetur të ngujuar të mërkurën mbrëma.
Minatorët kishin mbetur të ngujuar në horizontet e minierës në Stantërg, pas një defekti në sistemin e energjisë elektrike.
Defekti kishte ndodhur rreth orës 19:30, si pasojë e djegies së linjave të tensionit të lartë dhe një defekti në trafostacionin e tunelit të parë.
Një pjesë e minatorëve kishin nisur të dalin përmes daljeve alternative.
Ndërkohë, njëri prej minatorëve që ishte i ngujuar ka folur për situatën brenda minierës, duke treguar se për disa prej kolegëve dalja ka qenë më e vështirë. Ai tha se gjendja shëndetësore e minatorëve ka qenë e mirë, por se qëndrimi në nëntokë ka sjellë edhe vështirësi me ajrin, si dhe panik e stres.
“Ende janë duke dalë, sepse kemi lënë kolegë që duke ardhur dhe dalin kohë pas kohe. Ata që e ndjejnë veten fizikisht të fortë, ata ma merr mendja që dalin. Për disa mendoj që është shumë telashe të dalin. Gjendja shëndetësore ka qenë e mirë, por atje vështirësohet ajri. Ka panik, është hera e tretë që ngujohem në minierë, po shtohet panika dhe stresi. Kam qëndruar afër dy orë e gjysmë, me pauza, në çdo horizont kemi pushuar”, u shpreh ai.
Minatori tregoi se kjo nuk është hera e parë që përballet me një situatë të tillë në Trepçë, duke kujtuar rastet e mëparshme të ngujimit në minierë.



