Kalo te përmbajtja / Skip to content
Kosovë

“Ma jep Lekën, ta kaIoj kufirin sikur të ishte djali im”: Rrëfimi i Fetah Bakijës për djalin e presidentes Justina Shiroka-PuIa gjatë Iuftës

AutoktonPublikuar më 8.10.2026Përditësuar më 8.10.2026Lexim prej 4 minutash

Një rrëfim interesant nga koha e luftës në Kosovë është publikuar nga Fetah Bakija, i cili ka treguar se si, në vitin 1999, e kishte marrë për dore djalin e vogël të presidentes së sapozgjedhur të Kosovës, , dhe e kishte kaluar kufirin në Bllacë, duke e paraqitur si fëmijën e tij.

Zgjedhja e Justina Shiroka Pulës në krye të shtetit të Kosovës ka rikthyer në kujtesën e Fetah Bakijës një histori të pazakontë, e cila kishte ndodhur 27 vjet më parë, në kohën kur qindra mijëra shqiptarë po largoheshin nga Kosova për t’i shpëtuar luftës.

Në qendër të kësaj historie është Leka, djali i presidentes së re, i cili atëbotë ishte vetëm një fëmijë, ndërsa sot, siç shkruan Bakija, është bërë burrë.

Përmes një postimi në Facebook, Bakija ka treguar se gjithçka kishte ndodhur në kufirin e Bllacës, ku mijëra qytetarë shqiptarë po përballeshin me kushte të rënda, të ftohtë dhe pasiguri për fatin e tyre.

Në mesin e njerëzve që prisnin të kalonin në Maqedoni ishte edhe Justina Shiroka Pula, bashkë me djalin e saj të vogël, Lekën.

Sipas rrëfimit të Bakijës, pas disa ditësh pritjeje, ishte lejuar kalimi i një grupi njerëzish, por vetëm në këmbë. Justina nuk po lejohej të kalonte me automjet, ndërsa situata ishte komplikuar edhe më shumë për shkak të shqetësimit të saj për djalin.

Në të njëjtën gjendje, sipas tij, kishte mbetur edhe familja e Nehat dhe Sakibe Qenës.

Bakija tregon se motra e tij, profesoresha Drita Bakija Gunga, dhe bashkëshortja, mjekja Mina Bakija, kishin vendosur të mos e linin Justinën vetëm.

“Ti nuk do të rrish vetëm, do të rri dhe unë me ty! Do të kalosh me mua. Nuk do të të lë”, i kishte thënë Drita, sipas Bakijës.

Edhe Mina kishte këmbëngulur se do të qëndronin bashkë.

Mirëpo, mbetej problemi se si të kalohej kufiri me Lekën e vogël.

Në atë moment, Bakija kishte dalë me një propozim që, siç dëshmon rrëfimi i tij, do ta lidhte për shumë vite me familjen e presidentes së ardhshme të Kosovës.

“Ma jep Lekën. Ta marr unë dhe ta kaloj kufirin sikur të ishte fëmija im”, i kishte thënë ai Justinës.

Sipas Bakijës, ajo fillimisht ishte befasuar nga propozimi, por më pas kishte pranuar.

Dhe kështu, Leka i vogël kishte kaluar kufirin për dore me Fetah Bakijën, ndërsa nëna e tij kishte mbetur në anën tjetër.

Por kalimi i kufirit nuk kishte qenë fundi i vështirësive.

Bakija tregon se ai dhe Leka kishin mbetur në hapësirën ndërmjet dy kufijve, duke pritur që të kalonin edhe Justina, Drita dhe Mina.

Temperaturat ishin të ulëta, ndërsa fëmija nuk kishte rroba të mjaftueshme për t’u mbrojtur nga të ftohtit.

“Ishte shumë ftohtë. Leka ishte hollë i veshur. Ia dhashë xhupin tim”, ka shkruar Bakija.

Sipas tij, të dy kishin qëndruar aty gjatë gjithë natës dhe ditës së nesërme, derisa në mbrëmje ishin vërejtur nga autoritetet maqedonase, të cilat i kishin detyruar të hynin në territorin e Maqedonisë.

Më pas ishin futur në një autobus me refugjatë dhe ishin dërguar deri në Ohër, ku po organizohej strehimi i shqiptarëve të dëbuar nga Kosova.

Megjithatë, falë mirëkuptimit të një shoferi nga Shkupi, Bakija kishte arritur të kthehej me Lekën në kryeqytetin maqedonas, ku i kishte pritur familja Shala.

Ai përmend edhe Osman Shalën, kolegun e tij dhe drejtorin e atëhershëm të Televizionit të Maqedonisë, i cili e kishte intervistuar për gjendjen në Kosovë dhe për vështirësitë që po përjetonin refugjatët në kufi.

Pas dy ditësh, sipas rrëfimit, në Shkup kishin arritur edhe Drita dhe Mina, ndërsa Leka ishte ambientuar aq mirë me fëmijët e familjes ku po qëndronte, sa kishte vazhduar të qëndronte aty edhe disa ditë të tjera.

Bakija nuk jep hollësi të tjera për momentin e ribashkimit të Lekës me nënën e tij, por rikujton me emocion ditët që i kishin kaluar së bashku.

Rrëfimin e ka publikuar me një titull të thjeshtë: “Sa qenka bërë i madh Leka!”

“Sot, kur e shoh Lekën, nuk mund të mos kujtoj atë djalin e vogël që dikur e mora për dore në kufirin e Bllacës”, shkruan ai.

Për Bakijën, zgjedhja e Justina Shiroka Pulës presidente ka qenë rasti për të rikthyer një kujtim që për më shumë se dy dekada kishte mbetur pjesë e historisë personale të dy familjeve.

“Atëherë ishte një djalë i vogël. Sot është burrë”, shkruan ai, duke shtuar se në kujtesën e tij Leka do të mbetet gjithmonë ai fëmija me të cilin kishte kaluar kufirin në ditët më të vështira të Kosovës.

Në fund të postimit, Bakija thotë se këtë histori nuk e ka treguar për të marrë merita për gjestin e tij, por për të kujtuar mënyrën se si lufta, miqësia dhe rrethanat e jashtëzakonshme i lidhin njerëzit me njëri-tjetrin.

“Ka histori që nuk shkruhen për t’u lavdëruar dikush. Shkruhen sepse jeta, lufta, miqësia dhe fati i njerëzve ndonjëherë i lidhin njerëzit në mënyra që nuk harrohen kurrë”, përfundon Fetah Bakija.

Historia e tij është një prej atyre rrëfimeve të vogla njerëzore që kanë mbetur në hijen e historisë së madhe të luftës së Kosovës. Një nënë që përpiqej të shpëtonte djalin e saj, një burrë që mori përsipër ta kalonte kufirin dhe një fëmijë që atëherë nuk mund ta dinte se, 27 vjet më vonë, nëna e tij do të bëhej presidente e Republikës së Kosovës./Nacionale

Artikuj të ngjashëm