Kush është Prokurori që e ndaloi për 48 orë Gani Gecin

Nën dyshimet për kanosjen e gazetarit Lirim Mehmetaj, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gani Geci, është ndaluar për 48 orë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Urdhrin për ndalimin e Gecit e ka dhënë Prokurori Blerim Igrishta, mëson Paparaci brenda burimeve në Prokurori.
Igrishta është prokuror në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Ai ishte dekretuar në vitin 2014 si Prokuror dhe që atëherë ka vazhduar punën e tij në Prokurorinë Themelore në kryeqytet.
Igrishta kishte dhënë urdhër për ndalimin e Gecit në orët e hershme të mëngjesit të së martës, pas dyshimeve për kanosjen e gazetarit dhe udhëheqësit të mediumit Vox Kosova, Lirim Mehmetaj.
Ndërsa, ende nuk dihet nëse ai ka paraqitur kërkesë për caktimin e ndonjë mase për sigurimin e të pandehurit në procedurë.
Sipas komunikatës së Prokurorisë, Prokurori i rastit e ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave dhe sigurimit të provave relevante për zhvillimin e procedurës së mëtejshme.
Në komunikatë, Prokuroria ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar “në mbrojtjen e gazetarëve dhe garantimin e sigurisë së tyre, si dhe në respektimin e plotë të lirisë së shprehjes”.
Artikuj të ngjashëm



