Kalo te përmbajtja / Skip to content
Kosovë

Platforma katolike denoncon rëndë Lëvizjen e Deçanit: Po e degradon Sakramentin e Pagëzimit

AutoktonPublikuar më 17.10.2026Përditësuar më 17.10.2026Lexim prej 2 minutash

Platforma katolike “Via Veritatis” ka kritkuar ashpër Lëvizjen e Deçanit (e njohur ndryshe edhe si Lëvizja për Rikthim) duke ngritur shqetësime për mënyrën se si po përdoret sakramenti i pagëzimit në kuadër të nismave për rikthimin e shqiptarëve në fenë katolike.

Në një editorial të publikuar gjatë ditës së sotme, më 17 tetor, platforma në fjalë vlerëson se pagëzimi po trajtohet nga Lëvizja e Deçanit gjithnjë e më shumë si një akt i rikthimit në identitetin kombëtar e historik duke rrezikuar humbjen e kupitimit të tij thelbësor fetar.

Një nga pretendimet më serioze të editorialit lidhet me përgatitjen fetare të personave që po pagëzohen.

Autorët thonë se kanë qenë personalisht të pranishëm në ceremoni ku kandidatët për pagëzim nuk kanë pasur njohuri elementare për besimin katolik.

Reklamë

“E kemi parë në rrjete sociale, por kemi qenë edhe prezent në raste kur kandidatët për sakramentin e Pagëzimit nuk dinin ta bënin as shenjën më elementare të kryqit e nuk mund të shpjegonin çfarë po ndodhte,” – thuhet në editorial.

Më tej argumentohet se motivet identitare dhe kombëtare mund ta zhvendosin vëmendjen nga përmbajtja teologjike e pagëzimit. Autorët mbështeten në mësimet e Shën Augustinit, Shën Palit, Katekizmin e Kishës Katolike dhe dispozitat e së Drejtës Kanonike për të argumentuar rëndësinë e besimit dhe përgatitjes fetare.

“Nëse ndokush vjen te ti për t’u pagëzuar nga ndonjë dobi tokësore apo për t’iu pëlqyer njerëzve, ai nuk po hyn në Kishë me trup e me shpirt, por po sjell hipokrizi në shtëpinë e Hyjit.” – është udhëzimi që sjell platforma nga Shën Augustini për diakonin e Kishës së Kartagjenës.

Një pjesë e kritikës i drejtohet edhe vetë Kishës Katolike, nga e cila kërkohet një qëndrim më i qartë ndaj praktikave të pagëzimit të lidhura me këtë lëvizje.

“Kisha Katolike e Kosovës duhet ta ngrisë zërin e mos të qëndrojë e heshtur përballë kësaj “masakre” që po i bëhet doktrinës katolike ku secili person i keq-formësuar teologjikisht flet në emër të Krishtit e Kishës së Tij, (ani pse në definicionet e tyre rrallë ku e gjeni Krishtin)…” – thuhet në fund të këtij editoriali.

Lëvizja e Deçanit vazhdon të përdor gjuhë të rëndë islamofobe në shumë prej postimeve të saj në rrjete sociale.

Via Veritatis është një platformë në gjuhën shqipe që publikon përmbajtje mbi katolicizmin, teologjinë, filozofinë dhe çështjet kulturore./Tjeter

Artikuj të ngjashëm

Reklamë