Rron Gjinovci: Fell ka hi Serbia, sidomos në mediat e Kosovës

Rron Gjinovci ka reaguar në lidhje me publikimin e informatave nga dosja e Prokurorisë Speciale për rastin e Fatmir Shehollit, ku përmenden edhe materiale që, sipas Prokurorisë, kishin prejardhje nga BIA serbe dhe synohej të publikoheshin në mediat e Kosovës.
“Fell ka hi Serbia sidomos në mediat e Kosovës”, ka konstatuar ai.
“Prokuroria ka thënë se gjatë hetimeve është vërtetuar dyshimi i bazuar mirë se materialet e siguruara nga i pandehuri nga BIA, përkatësisht nga Bojan Dimiq, të vërtetuara edhe përmes masave të veçanta hetimore, i pandehuri Sheholli vepron sipas planit të organizuar dhe me qëllim ushtrimit të presionit dhe shantazhit ndaj Nenad Rashiq dhe zyrtarëve të tij, i kishte dorëzuar Milaim Zekës materiale për publikim, ndërsa në këmbim të tyre ky i fundit pretendohet se ka pranuar shumën prej 1 mijë euro.Pas dorëzimit të materialit, dosja përshkruan se Bojan Dimiq kontakton të pandehurin Fatmir Sheholli dhe interesohet nëse materiali është publikuar dhe jep udhëzimet e tij, ndërsa më 01.10.2025 Fatmir Sheholli i përcjell Milaim Zekës detyrën që merr nga Bojan Dimiç, që publikimi të bëhet më herët.”, ka shkruar Gjinovci.
Ai ka komentuar pretendimet e Prokurorisë për mënyrën se si këto materiale dyshohet se kanë kaluar nga zyrtari i BIA-s, Bojan Dimiq, te Fatmir Sheholli dhe më pas te gazetari Milaim Zeka për publikim.
Sipas dosjes së publikuar, Prokuroria pretendon se Sheholli vepronte sipas një plani të organizuar dhe se pas dorëzimit të materialeve Dimiq interesohej nëse ato ishin publikuar, madje jepte edhe udhëzime lidhur me kohën e publikimit.
Në aktakuzë pretendohet gjithashtu se materialet synonin ushtrimin e presionit dhe shantazhit ndaj Nenad Rashiqit dhe zyrtarëve të tij. Pretendimet janë pjesë e aktakuzës së Prokurorisë dhe mbetet që ato të trajtohen dhe vërtetohen në procedurë gjyqësore.



