“Historia nuk fillon me ju, Daçiq”, Gani Mehmeti ia kujton zyrtarit serb të kaluarën e Prizrenit

Deklarata e zyrtarit serb Ivica Daçiq se Prizreni ishte kryeqyteti i parë serb dhe pretendimi i tij se flamuri serb do të valëvitet sërish në këtë qytet kanë nxitur reagime. Deklaratat për historinë e Prizrenit kanë rikthyer debatin për të kaluarën e Kosovës dhe interpretimet e saj nga zyrtarët serbë.
Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe opinionisti Gani Mehmeti, i cili i është kundërpërgjigjur Daçiqit duke vënë në pikëpyetje pretendimet e tij historike dhe duke theksuar se historia e këtyre trojeve është shumë më e hershme sesa periudha e shtetit mesjetar serb.
Mehmeti, në reagimin e tij për “Bota sot”, e sfidon Daçiqin që të shikojë më larg në histori dhe të mos e trajtojë të kaluarën e Prizrenit vetëm nga këndvështrimi serb.
“Së pari, para se të bëhej ‘kryeqyteti’ i parë serb, i kujt ishte Prizreni? A e ke mësuar paksa historinë, apo vetëm flet pa menduar për atë që të pëlqen ty? Shko edhe pak më larg, lexo dhe mësoje historinë, sepse, nëse historia serbe filluaka aty, atëherë ju qenkeni tepër të vonshëm”, thotë Mehmeti për “Bota sot”.
Ai vlerëson se historia e Kosovës nuk mund të kufizohet në periudhën kur shteti mesjetar serb shtriu ndikimin e tij në këto territore. Për ta përforcuar qëndrimin e tij, opinionisti i referohet edhe një shprehjeje në gjuhën serbe, përmes së cilës i drejtohet drejtpërdrejt Daçiqit.
“A e ke dëgjuar atë shprehjen tuaj në gjuhën serbe: ‘Janko mbërriti me vonesë në Kosovë’?”, shprehet ai, duke e përdorur këtë shprehje për të theksuar se historia e Kosovës nuk nis me ardhjen dhe vendosjen e pushteteve mesjetare serbe.
Në vazhdim të reagimit, Mehmeti thekson se shqiptarët e konsiderojnë Kosovën vendin e tyre historik dhe kundërshton atë që ai e sheh si përpjekje për ta paraqitur historinë e vendit vetëm përmes pretendimeve serbe.
“Historia nuk fillon me ju, Daçiq. Ajo është shumë më e hershme; ne kemi qenë këtu prej mijëra vjetësh. Ne kemi lindur dhe jemi rritur këtu, këtu është djepi ynë. Ju e keni lënë diku në Kaukaz; shkoni dhe kërkojeni djepin tuaj atje”, përfundon Mehmeti.



