Kalo te përmbajtja / Skip to content
Opinion

Në videot e skandalit Hila, edhe artistë që kanë qenë fëmijë kur janë njohur me të. A e ndryshon kjo thelbin e historisë?

AutoktonPublikuar më 4.10.2026Përditësuar më 4.10.2026Lexim prej 3 minutash

Nga Orgen Peci

Te videot e skandalit Hila shfaqen edhe artistë të rinj që kanë qenë fëmijë kur janë njohur me Hilën gjatë konkursit televiziv Gjeniu i Vogël. Jane rritur dhe promovuar prej tij. Kjo e ndryshon thellësisht dhe rrënjësisht thelbin e historisë

Disa nga videot e skandalit Hila mund të shihen si “marrëdhënie me pëlqim mes dy të rriturve” apo edhe “shkëmbim favoresh mes të rriturish”, në rastin më hipokrit. Por kur përfshihen figura që kanë hyrë në atë rreth që në fëmijëri ose adoleshencë, kjo e ndryshon tërësisht kuadrin moral, psikologjik dhe juridik. Lidhja ndryshon rrënjësisht në disa nivele kryesore.

Në psikologji dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, quhet grooming, procesi ku një i rritur me pushtet afrohet me një minoren, fiton besimin e tij/saj dhe të familjes, krijon varësi emocionale e profesionale dhe e përgatit terrenin gradualisht për ta shfrytëzuar më vonë.

Kur ky raport nis në fëmijëri, nuk mund të flitet kurrë për “pëlqim” apo “zgjedhje të lirë”, sepse mendja dhe vullneti i një fëmije formatohen nga ai që ka kontrollin mbi të.

Po flasim edhe për asimetrinë absolute të pushtetit. Përballë një figure që kontrollon skenën, ekranin, suksesin dhe të ardhmen profesionale, një i ri apo një fëmijë nuk ka asnjë mjet mbrojtës. “Promovimi” dhe “rritja” nën hijen e një tutori të tillë krijojnë një dinamikë ku viktima nuk e kupton as vetë se po shfrytëzohet, sepse abuzuesi i shfaqet njëkohësisht si “bamirës”, “babai profesional” dhe “krijuesi i karrierës”.

Kur një fëmijë rritet brenda një mjedisi të tillë me presion e varësi, abuzimi normalizohet në mendjen e tij. Viktimat e kësaj dinamike shpesh kanë nevojë për vite me radhë (ndonjëherë pasi bëhen vetë të rritur ose prindër) për të kuptuar se ajo që u ka ndodhur nuk ka qenë “mbështetje për talentin”, por shfrytëzim i pastër.

Nga skandal rozë/moralist, në krim dhe përgjegjësi institucionale

Kjo e zhvendos debatin nga “përfolje e jetës private” te përgjegjësia penale dhe mbrojtja e fëmijëve. Gjithashtu ngre pikëpyetje të mëdha për ambientin artistik e mediatik. Si ka mundësi që një strukturë e tërë ka parë “rritjen” e këtyre fëmijëve nën këtë tutelë dhe ka heshtur?

Prania e këtij elementi e zhvesh tërësisht ngjarjen nga çdo alibi e “marrëdhënieve mes të rriturve” dhe e shfaq atë në formën e saj më të rëndë, si shfrytëzim i pushtetit mbi fëmijët dhe të rinjtë e pambrojtur.

Ka fatkeqësisht edhe shembuj botërorë ku industria e artit, muzikës, filmit dhe televizionit ka funksionuar me ekzaktsisht të njëjtin mekanizëm: zbulimi, “adoptimi” profesional i fëmijëve, groomingu i gjatë dhe përdorimi i pushtetit për abuzim.

Që nga Jimmy Savile i BBC në Britaninë e Madhe, te R. Kelly që përdori studiot e tij, fuqinë e tij si producent e kantautor legjendar dhe premtimet për karrierë për të afruar minorenë, apo Lou Pearlman, krijuesi i Boy-Bands, Backstreet Boys & ‘NSYNC, manjati muzikor që menaxhoi disa nga grupet më të mëdha të djemve në vitet ’90, duke rekrutuar të rinj në moshë 12–15 vjeçare, për të cilët merrte më pas kontrollin e plotë mbi jetën, financat dhe kontratat.

Mekanizmi i “kastingut” dhe “udhëheqjes” artistike u zbërthye plotësisht gjatë lëvizjes #MeToo. Weinstein dhe figura të tjera me pushtet absolut në industri përdornin rritjen profesionale, me kushtin implicit: nëse doni karrierën, duhet të pranoni rregullat e lojës.

Industritë e artit shpesh i ngrenë këto figura në statusin e “krijuesve të yjeve”, çka bën që prindërit dhe vetë fëmijët t’u besojnë verbërisht. Rrethi profesional rreth tyre e di se çfarë ndodh, por hesht nga frika e humbjes së punës, pozicionit apo ndikimit.

Për shkak se abuzuesi është edhe personi që u ka dhënë “suksesin” e “emrin”, viktimave u duhen vite (ose dekada) për të përpunuar traumën dhe për të kuptuar se ai sukses ka qenë pjesë e mekanizmit të kontrollit.

—-

Në foto, Hila në jurinë e konkursit Gjeniu i Vogël duke ndjekur performancën e një fëmije që tashmë është një artist i ri i skenës dhe shfaqet në videot e skandalit që ka trazuar rëndë këto ditë opinionin publik

Artikuj të ngjashëm