Deputeti i PDK: Koalicioni i madh për Kosovën PDK- VV

Rrustem Mustafa – Remi ka propozuar krijimin e një koalicioni të gjerë politik, me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Partinë Demokratike të Kosovës në qendër të tij, duke vlerësuar se situata aktuale kërkon një marrëveshje që do të sillte më shumë unitet dhe një drejtim të përbashkët shtetëror.
Në qëndrimin e tij, Mustafa thotë se VV-ja, PDK-ja dhe partitë e tjera duhet të hapin dialogun për një marrëveshje të ndërtuar mbi, siç shprehet ai, “interesat themelore të Republikës”.
Sipas Mustafës, një marrëveshje e tillë duhet të mbështetet në tri shtylla kryesore: unitetin politik dhe qetësimin e brendshëm, mbështetjen juridike dhe angazhimin diplomatik.
Ai kërkon bashkërendim më të madh ndërmjet forcave politike dhe shoqërisë civile, me synimin që çështjet që konsiderohen interes shtetëror të trajtohen përmes bashkëpunimit dhe përgjegjësisë së përbashkët.
Një pjesë të rëndësishme të propozimit të tij Mustafa ia kushton edhe proceseve juridike. Ai kërkon forcimin e ekipeve mbrojtëse dhe sigurimin e mbështetjes së nevojshme juridike për proceset e mëtejshme, duke insistuar në “standarde të barabarta të drejtësisë”.
Shtylla e tretë, sipas tij, duhet të jetë diplomacia. Mustafa propozon një veprim të koordinuar në arenën ndërkombëtare për të paraqitur argumentet lidhur me historinë e Kosovës dhe të UÇK-së, si dhe për avancimin e interesave të Republikës.
“Mbi të gjitha, forcimi i partneritetit strategjik me SHBA-në dhe Perëndimin duhet të jetë orientimi i përbashkët”, shkruan Mustafa.
Ai thekson se ideja nuk duhet parë vetëm si një bashkim politik për një situatë të caktuar, por si mundësi për një marrëveshje më të gjerë me objektiva dhe përgjegjësi të përcaktuara.
“VV, PDK dhe partitë e tjera: një tryezë e përbashkët, një marrëveshje e qartë, një drejtim shtetëror”, është mesazhi i Mustafës, i cili propozimin e tij e përmbledh me thirrjen: “KOALICION I MADH PËR KOSOVËN.”



