Haliti: Gjykata Speciale është e Kosovës, s’ka rënë prej qiellit – s’besoj aspak që është e ndikuar nga Serbia

Deputeti i PDK-së dhe njëri prej figurave të larta të UÇK-së, Xhavit Haliti, ka thënë se nuk beson që Gjykata Speciale është e ndikuar nga Serbia, duke iu referuar edhe përmbajtjes së aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Duke folur në Tëvë1, Haliti ka argumentuar se në Serbi ka pasur pakënaqësi të mëdha me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara. Sipas tij, kjo është një nga arsyet pse ai nuk e sheh Specialen si gjykatë të ndikuar nga Beogradi.
Haliti është shprehur se pjesë e pakënaqësisë në Serbi lidhet me faktin se Trupi Gjykues nuk i shpalli katër ish-krerët e UÇK-së fajtorë për krime kundër njerëzimit. Në aktgjykimin e 16 shtatorit, katër të akuzuarit u shpallën fajtorë për disa krime lufte, por jo fajtorë për akuzat për krime kundër njerëzimit.
Haliti ka folur për Specialen edhe të martën mbrëma në “Interaktiv” të KTV-së, ku ka komentuar zhvillimet e fundit politike rreth aktgjykimit dhe nismën e PDK-së për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Ai ka kritikuar ashpër edhe reagimet e zyrtarëve të partisë së tij ndaj ambasadorit britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Sipas Halitit, në PDK janë të mërzitur shumë për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe, si pasojë, disa prej reagimeve kanë kaluar në një gjuhë që ai e konsideron të pakontrolluar.



